Berisha uron Papandreun për zgjedhjen si Kryeministër
Kryeministri Sali Berisha i dërgoi dje një mesazh urimi Kryeministrit të ri të Greqisë, Jorgos Papandreu, të cilin e uroi për zgjedhjen në këtë post. Në mesazhin e tij, Berisha ndër të tjera shkruan: “Jam i bindur se me vizionin dhe platformën tuaj politike, do t’i ofroni vendit alternativën më efikase për përballimin e sfidave, me të cilat ai përballet dhe për zhvillimin e përparimin e mëtejshëm të tij, në të mirë të jetës e begatisë së qytetarëve të vendit Tuaj”. Kryeministri Berisha garanton homologun e tij grek se marrëdhëniet mes dy vendeve do të jenë në nivelet më të larta. “Greqia është njëri ndër partnerët kryesorë, ekonomikë e tregtarë, të Shqipërisë dhe investitorët nga vendi Juaj kanë pasur histori suksesi në vendin tim. Qeveria shqiptare dhe unë, personalisht, mbetemi tërësisht të angazhuar për t’i çuar edhe më tej këto marrëdhënie, për ta zgjeruar bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve tona në të gjitha fushat, si në rrafshin dypalësh, edhe në atë shumëpalësh e në veçanti, në kuadër të NATO-s dhe integrimit në BE”, - shkruan Berisha në mesazhin drejtuar Kryeministrit të sapozgjedhur të Greqisë.