E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizita në Kosovë, Berisha informon kabinetin qeveritar



Kryeministri Sali Berisha informoi dje kabinetin qeveritar, duke bërë një përmbledhje të axhendës së takimeve dhe rezultateve të vizitës në Kosovë, projekteve konkrete të bashkëpunimit dhe pritjen që populli i Kosovës dhe institucionet e saj i rezervuan. Duke përcjellë tek ministrat e tij mbresat e pashlyera në Kosovën e lirë, Berisha pohoi: “Nuk ka vend tjetër në botë, ku unë shkoj më me kënaqësi se në këtë vend. Këtë herë m’u krijua përshtypja se po udhëtoja në një mrekulli shqiptare dhe jo vetëm. Kisha kënaqësinë e madhe të gjej në Kosovë vlerat e mëdha të krijuara nga kombi shqiptar dhe shtyllat solide për të ardhmen e Kosovës, që populli, qeveria dhe shteti i ri i Kosovës kanë vendosur në një kohë të shkurtër 20-mujore”. Z. Berisha vuri në dukje se me Kryeministrin Thaçi u ra dakord të punohet bashkërisht e intensivisht për finalizimin e një kuadri të plotë bashkëpunimi më të gjerë, rreth standardeve më të mira evropiane. Sipas tij, ky bashkëpunim do të shtrihet në të gjitha fushat pa përjashtim. Shefi i qeverise shqiptare foli edhe për situatën politike në vend, duke u shprehur se Kosova funksionon në frymën e një demokracie të shëndoshë dhe bashkëjetesë shumetnike. Ajo që ia vlen të veçohet, për Kryeministrin Berisha, është se Kosova në 20 muaj po ecën me ritme të sigurta drejt konsolidimit si shtet i pavarur, duke u siguruar minoriteteve standardet më të gjera për ushtrimin e të drejtave të tyre. Si problem kryesor, z. Berisha paraqiti çështjen e Mitrovicës së Veriut, të cilën e ka diskutuar jo vetëm me autoritetet më të larta vendase, por edhe me përfaqësuesit e KFOR-it dhe Bashkimit Evropian në Prishtinë. Ashtu si në Prishtinë, Prekaz dhe Prizren, Kryeministri Berisha përsëriti edhe në mbledhjen e qeverisë tezën e bashkimit kombëtar nën flamurin e Bashkimit Evropian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›