E Diel, 1 Nëntor 2026

Lojërat Olimpike, Berisha, mes sportistëve të rinj



Çaste të veçanta të sportistëve të rinj në Ditën e Lojërave Olimpike gjatë përshëndetjes me Kryeministrin Sali Berisha. Gjatë paradites së djeshme, z. Berisha zhvilloi një takim mjaft të këndshëm e të ngrohtë me një përfaqësi sportistësh të rinj, të cilët janë pjesë e Lëvizjes Olimpike Speciale, e cila është një nismë botërore, ku aderon dhe Shqipëria, dedikuar personave me aftësi të kufizuar intelektuale. Ky grup atletësh të rinj, duke përshkuar bulevardin “Dëshmorët e Kombit“, u ndalën përpara ndërtesës së Këshillit të Ministrave, poshtë ballkonit të zyrës së Kryeministrit me dëshirën e madhe për t’u përshëndetur me të. Kryeministri Berisha menjëherë doli jashtë, ku ata ndodheshin dhe u takua nga afër ngrohtësisht me të rinjtë, të cilën mbanin në dorë flakën e pishtarit olimpik të këtij aktiviteti, përmes të cilit kërkojnë rritjen e mbështetjes dhe ndërgjegjësimin qytetar në ndihmë të këtij komunitetit, që ka aq shumë nevojë për vëmendje dhe mbështetje. Kryeministri Berisha i falënderoi të rinjtë, duke i përgëzuar ata dhe duke e quajtur këtë nismë një nismë të shkëlqyer dhe jashtëzakonisht të dobishme, duke u shprehur se sot të gjithë i kanë sytë tek ky aktivitet. Këto Lojëra Olimpike Speciale do të mbahen në datat 8-10 tetor në Tiranë dhe pjesëmarrësit në to vijnë nga Elbasani, Pogradeci, Lezha, Shkodra, Tirana, Vlora, Korça, Berati dhe Durrësi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›