Statusi i Shqipërisë, Meta: Shqyrtimi në momentin e duhur
BE-ja i jep kohë të mjaftueshme Shqipërisë për shqyrtimin e pyetësorit rreth progresit të bërë në drejtim të integrimit evropian dhe fill pas kësaj procedure, hapet rruga për shqyrtimin e statusit të vendit kandidat. Zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministri i Jashtëm, Ilir Meta, shprehet optimist për shqyrtimin e kandidaturës së Shqipërisë për t’u bërë vend kandidat për hyrjen në BE. Në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e tij austriak, i cili vizitoi dje Tiranën zyrtare, Meta theksoi se kandidatura e Shqipërisë do të shqyrtohet sa më shpejt që të jetë e mundur. “Besoj se aplikimi ynë për statusin e vendit kandidat do të shqyrtohet në kohën më të parë dhe të gjitha vendet do të japin konsensusin e tyre, duke e trajtuar atë si një çështje procedurale", - tha Meta. Ministri i Jashtëm tha më tej se qeveria është e angazhuar t’i përgjigjet çdo interesi të Bashkimit Evropian. “Këshilli do t’i japë opinionin Komisionit në mënyrë që ne të kemi në kohën e duhur pyetësorin dhe pavarësisht këtyre procedurave, qeveria, sikurse është bërë publike, ka nisur përgatitjet e saj për të koordinuar të gjitha kapacitetet e saj administrative që t’i përgjigjet me cilësinë e duhur këtij pyetësori të pritshëm nga ana e Komisionit Evropian”, - tha më tej Meta. Sipas tij: “Janë çështje që kanë të bëjnë me procedurat dhe jo me vullnetin që vendet e BE-së i japin aplikimit të Shqipërisë”, - deklaroi ministri i Jashtëm. Meta u shpreh optimist edhe për procesin e liberalizimit të vizave. Ai tha se vendi ka bërë progres në disa tregues të kërkuar, ndërsa ka detyrime që janë në proces, me qëllim që të plotësojmë në kohë të gjitha kërkesat e udhërrëfyesit. “Qeveria e ka bërë të qartë edhe në programin e saj se ne presim një vendim pozitiv brenda vitit të ardhshëm. Është e vërtetë që Serbia, Maqedonia dhe Mal i Zi janë një hap para, dhe ky nuk është një lajm për t'u mërzitur. Por, të mos harrojmë pikën e nisjes së Shqipërisë, të mos harrojmë se kur qytetarët e këtyre vendeve të ish-Jugosllavisë lëviznin pa viza në të gjithë botën, Shqipëria ishte vendi më i izoluar në kontinent", - komentoi Meta. Për sa u përket detyrimeve, Meta shtoi se ato do të plotësohen shumë shpejt. “Kemi disa detyrime që janë në proces dhe që do të realizohen shumë shpejt, pasi janë disa projektligje që janë gati”, - tha ai. Në konferencën për shtyp, Meta iu përgjigj interesit të medias austriake në lidhje me të ashtuquajturën “Shqipëri e madhe”. Duke e cilësuar “një keqdashje të pabazë”, Meta tha: “Mesazhi i Kryeministrit Berisha në vizitën e fundit në Kosovë ka qenë jashtëzakonisht konstruktiv dhe evropian. Kryeministri Berisha në mënyrë shumë eksplicite ka bërë të qartë që Shqipëria dhe shqiptarët janë kundër ndryshimit në kufijve në Ballkan, sepse vetë aspirata jonë për t'u integruar në Evropë është krejt e kundërt me filozofinë e ndryshimit të kufijve, kështu që mendoj se çdo gjë ka qenë e pabazë dhe Shqipëria do të vazhdojë të ketë një rol shumë konstruktiv në të gjithë rajonin tonë”.