Berisha thirrje komisionerëve: Respektoni votën e qytetarëve
Kur na ndajnë vetëm pak ditë nga zgjedhjet lokale Kryeministri Berisha i është drejtuar komisionerëve që të zbatojnë ligjin në datën 8 maj duke respektuar çdo votë.
Duke folur në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Berisha u kërkoi të gjithë komisionerëve pavarësisht forcës politike që ata përfaqësojnë të shndërrohen në kujdestarë të votës së qytetarëve shqiptarë.
“Duhet t`i sigurojë ata që pavarësisht forcave politike që përfaqësojnë besimi është i plotë tek morali, integriteti i tyre dhe vendosshëmria e tyre para ligjit” theksoi Berisha duke shtuar se ata kanë procesin zgjedhor në duart e tyre.
Kryeministri Berisha theksoi se komisionerët nuk duhet të ndikohen nga bindjet e tyre partiake por të zbatojnë ligjin.
“Keni një rast që këtë vit të jepni ndihmesën më të madhe për veten, familjen, komunitetin, forcën tuaj politike, duke zbatuar me regorizitet ligjin në datën 8 maj theksoi Berisha duke shtuar se forcat politike duhet të përfshijnë në trajnim e komisionerëve edhe rekomandihet e ODIHR-it që kanë të bëjnë me funksionimin e komisionerëve.
Sipas kryeministrit Berisha zgjedhjet e 8 majit kanë një rëndësi të veçantë pasi do të dëshmojnë se shqiptarët ia kanë dalë të konsolidojnë një proces europian, themelor për një shoqëri të lirë.
“Zgjedhjet janë në ditën më të shënuar të Europës, dhe nuk ka nderim më të madh dhe të gjithë japin ndihmmesën për zgjedhje sipas standarteve” shtoi më tej Berisha.