E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha thotë se është i lënduar nga antiglobalistët

Tiranë, 29 Shtator 16:57 NOA – Kryeministri Sali Berisha, duke konsideruar sot se Parqet Industriale, janë gjeneratorë të zhvillimit dhe punësimit në vend, ka shpjeguar edhe pse ato është vendosur t’u lihen në dorë privatëve, ndërsa shprehu lëndimin që tha se ka pësuar nga antiglobalistët.

Berisha ishte i pranishëm sot në ceremoninë e nënshkrimit të kontratave ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikes dhe shoqërive të shpallura fituese në procedurën e garës për dhënien e statusit të zhvilluesit të parqeve industriale në Vlorë, Shëngjin dhe Koplik, e cila u zhvillua në ambientet e hotel “Tirana International”.

“Krijimi i parqeve industriale përbën një moment shumë të rëndësishëm sepse është dëshmi e një vullneti të qartë të qeverisë për të marrë pjesë konkrete me buxhetin e shtetit dhe më të gjitha mundësitë për të lehtësuar këtë klimë”, tha kryeministri.

“Qeveria në këtë rast ka marrë vendim të drejtë për të mos i menaxhuar vetë, por t’ia besuar sektorit privat menaxhimin e këtyre kompanive, pasi ata mund t’i administrojnë pakrahasimisht shumë më mirë sesa qeveria dhe instrumentet e saj”, - shpjegoi ai.

Vlora dhe globalizmi

Sipas Berishës, parqet e sotme nuk janë një sipërfaqe shumë e madhe, por janë një shembull udhëheqës për të gjitha qytetet dhe zona të tjera të vendit.

Kryeministri theksoi se parqet industriale do të shndërrohen në gjenerator të fuqishëm punësimi në vend. “Ju jeni gjeneratorët e zhvillimit, të punësimit në këtë vend dhe qeveria është e vendosur t’ju mbështesë në çdo përpjekje, si dhe të vendosë në Shqipëri ligjet më të mira, praktikat më të avancuara, në mënyrë që ju të keni sukses të plotë”, tha Berisha.

Berisha ka thumbuar ndërkohë, “shfaqjet e shëmtuara antiglobaliste”.

“Më vjen shumë mirë që konkretizohet sot edhe nisma e komunitetit të biznesit, Dhomës së Tregtisë në Vlorë dhe Bashkisë së saj. Uroj që me këtë të shlyejnë sa më shpejtë nga memoria e shqiptarëve, shfaqjet e shëmtuara antiglobaliste ndaj një investimi shumë serioz që po kryhet afër qytetit tuaj, Petroliferës”, - tha kryeministri.

Ai theksoi se “unë jam jashtëzakonisht i lënduar sepse të sulmosh një njeri që vjen dhe vendos ëndrrën e tij, në përputhje me të gjitha standardet ndërkombëtare, kjo gjë i lë një njollë vendit”.

Por nga ana tjetër vlerësoi se “kjo, ka qenë shumë e dobishme, sepse në këtë rast investitori nuk ka konfonduar qëndrimin e një grupi antiglobal, që janë streha e fundit e marksizëm-leninizmit, por ka arritur t’i qëndrojë projektit dhe po i jep Vlorës dhe Shqipërisë një vepër të mrekullueshme, shumë të dobishme”.

Këtu Berisha qartësoi se “Parku Industrial është një domosdoshmëri e madhe për Vlorën dhe jam i bindur që ju gradualisht do të kërkoni zgjerimin e tij”.

Berisha tregoi se “do të vazhdojmë me tre parqe të tjera”.

“Mendoj se duhet t’i kthehemi studimit të Makensey. Ajo është një nga kompanitë me serioze në botë dhe ka bërë një studim të mrekullueshëm për luginën Tiranë-Durrës. Ne duhet të rivendosim bashkëpunimin me këtë kompani, me të cilën për disa rrethana, jo të qeverisë, ka pasur ndonjë keqkuptim me ta”, - deklaroi kryeministri.

“Ne kemi në Spitallë 800 ha, por në projektin e Makensey ne mund të fitojmë mijëra hektarë, - vijoi Berisha.

“Mendoj se ne duhet t’i rikthehemi atij studimi, sepse po t’i referohemi kompanisë Makensey, kjo është zona më e përshtatshme në Evropë, pasi rrethohet nga porti, aeroporti dhe ka një infrastrukturë të gjithanshme dhe kjo përbën një potencial të jashtëzakonshëm”, - vlerësoi kryeministri.

d.r/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›