Topi dekoron Fan Nolin dhe kishën “Shën Gjergji” në Boston
I pranishëm në ceremoni, edhe aktori Xhim Belushi, mungon kreu i Kishës Autoqefale Shqiptare, Janullatosi
Në 100-vjetorin e ekzistencës së kishës shqiptare “Shën Gjergji” në Boston, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka dekoruar me “Naim Frashri’’ i Artë kontributin e kësaj kishe, si dhe ka nderuar figurën e themeluesit të kësaj, Fan Nolin. Presidenti Topi dekoroi me dekoratën më të lartë të shtetit shqiptar, me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, pas vdekjes, një nga figurat më të spikatura të kombit shqiptar, Fan Stilian Nolin. I ftuar nga komuniteti shqiptar në Boston të SHBA-së, Presidenti Topi ka nderuar kontributin e shqiptarëve të Amerikës, si dhe ka deklaruar se çdo shqiptar ndihet krenar për figurën e Fan Nolit. Gjatë kësaj ceremonie, Topi ka dorëzuar dekoratat si dhe ka falënderuar rolin e shqiptarëve në SHBA. Në këtë ceremoni morën pjesë mjaft figura të njohura të diasporës shqiptare, madje edhe aktori me origjinë shqiptare Xhim Belushi, por mungoi kreu i Kishës Autoqefale Shqiptare, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatosi. I shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi, Presidenti mbajti një fjalim falënderimi. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit përkatës nga sekretari i përgjithshëm i Institucionit të Presidencës, Aleksandër Flloko, Presidenti Topi i dorëzoi Peshkop Nikonit dekoratën e lartë me këtë motivacion: "Për kontribut të shquar në Lëvizjen Kombëtare për fitoren e pavarësisë dhe ndërtimin e shtetit shqiptar, vatër e pashuar e patriotizmit, e edukimit të shqiptarëve pa dallim feje për ruajtjen e kulturës, traditave dhe dashurisë për Atdheun dhe Kombin, me aktivitet të pandërprerë për përparimin dhe prosperitetin e tyre’’.
Dekorimi i Nolit
Pjesë e veçantë e ceremonisë ishte edhe dekorimi pas vdekjes me dekoratën më të lartë të shtetit shqiptar, të Fan Nolit. Presidenti i Republikës, Topi, vlerësoi kontributin e figurës së Nolit, duke e cilësuar rolin e tij si të pashembullt dhe të rëndësishëm. Në motivacionin e dekoratës Urdhri i Lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” shkruhej: “Personalitet i shquar, luftëtar i madh i çështjes kombëtare për lirinë, gjuhën shqipe, kulturën kombëtare, për pavarësinë dhe ndërtimin e shtetit, pikë referimi në shumë plane në historinë e vendit, me kontribut të jashtëzakonshëm në lartësimin e përparimin e Atdheut dhe Kombit Shqiptar”. Urdhri i lartë iu dorëzua pasardhësit të denjë të Imzot Nolit, At Artur Liolinit, i cili, duke folur edhe në emër të 900 bashkatdhetarëve të pranishëm në këtë ceremoni, e falënderoi Presidentin Topi. “Në emër të diasporës shqiptare në Amerikë, shpreh mirënjohjen për këtë vlerësim që na bën nder, si dhe besimin që të gjithë ëndrrat e shqiptarëve të Amerikës janë bashkuar, plotësuar dhe realizuar tek Fan Noli”, - tha At Artur Liolini. Pas ceremonisë së dekorimit të figurës së Nolit dhe kishës “Shën Gjergji”, Presidenti Topi mori pjesë në ceremoninë festive mes 900 të pranishmëve, shqiptarë të Amerikës të cilët kishin ardhur nga çdo skaj i SHBA-ve për të ndjekur këtë ceremoni.
Takimet
Gjatë vizitës në SHBA, Presidenti Topi është takuar edhe me konsujt e nderit të Shqipërisë në Amerikë. Presidenti Topi vlerësoi rolin e rëndësishëm të diasporës shqiptare anembanë botës, sidomos të asaj në shtetin më demokratik në botë, siç është Amerika. Njëkohësisht, Presidenti Topi i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi vizitoi bibliotekën-muze të ish-presidentit amerikan, Xhon Kenedi, ku u njoh nga afër me të kaluarën, dokumentet private dhe historike të njërit prej presidentëve më të njohur amerikanë të shekullit të kaluar.