Prokuroria: Hetim për zhdoganimin e makinave me dokumente false
Prokuroria e Tiranës ka nisur shqyrtimin e dokumentacionit për zhdoganimin dhe me pas targimin e disa mjeteve motorike me dokumente të falsifikuara. Hetimet po realizohen në kuadër të procedimit të hapur ndaj 7 ish- punonjësve të Doganës dhe Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor në Tiranë, të cilët dyshohen për abuzime për qëllime përfitimi me zhdoganimin dhe targimin e disa makinave që nuk dispononin dokumente të rregullta. Grupi hetimor ka marrë në shqyrtim dokumentacionin përkatës të mbajtur nga ish-zyrtarët, që nga zhdoganimi i mjeteve motorike deri tek targimi i tyre dhe më pas lejimi për qarkullim, bënë të ditur sot burime pranë Prokurorisë së Tiranës, duke konfirmuar se hetuesit kanë siguruar materiale për disa raste të abuzimit me makinat që mendohet se disponojnë dokumente false. 7 ish- fuksionarët e dyshuar për afera korruptive në detyrë u arrestuan pak ditë më parë në Tiranë, në një operacion të Policisë dhe Prokurorisë së Rrethit. Katër prej tyre ndodhen në paraburgimin e Tiranës, ndërsa të tjerët po hetohen në gjendje të lirë. Sipas prokurorisë së Tiranës, këta persona mendohet se kanë përfituar shuma parash që variojnë nga 4 deri në 5 milion lekë për një zhdoganim dhe targim automjeti me dokumente false. Ndërkohë, të dyshuarit mësohet se kanë mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzave të ngritura ndaj tyre.
...