Qeveria kineze konfirmon vullnetin në forcimin e bashkëpunimit të mëtejshëm me Shqipërinë
Kryeministri Berisha takohet me Zëvendëskryeministrin e Republikës Popullore të Kinës, Hui Liangyu
TIRANE - Kryeministri Sali Berisha zhvilloi në vijim të vizitës së tij në Kinë, një takim me Zëvendëskryeministrin e Republikës Popullore të Kinës, Hui Liangyu.
Kryeministri Berisha e falënderoi Liangyu për pritjen shumë të ngrohtë dhe miqësore, duke theksuar se kjo është hera e katërt që vizitonte Kinën, por vizita e tanishme ishte vizita më e mahnitshme.
Kryeministri i shprehu mirënjohjen Kryeministrit të Kinës, Wen Jiabao, për ftesën e bërë për vizitën zyrtare, por edhe për ftesën për pjesëmarrjen në Forumin e BOAO-s, një nga institucionet më të rëndësishme ekonomike në botë. Duke iu referuar platformës serioze dhe konkrete të paraqitur nga Kryeministri kinez Jiabao në Forumin e BOAO, Kryeministri Berisha tha se optimizmi i Kinës për daljen nga kriza është shumë i rëndësishëm, sepse Kina ka ekonominë e tretë në botë dhe për këtë arsye ka peshë të madhe në mbarëvajtjen e ekonomisë botërore. Në këtë kontekst, Kryeministri u shpreh se shpresat për një kontribut të Kinës në daljen nga kjo krizë, janë të mëdha.
Kryeministri u ndal dhe në impresionet e tij gjatë vizitës në Shenzhen, duke e vlerësuar atë “një mrekulli të zhvillimit”.
Në takim u diskutua edhe për investimet në Shqipëri, ku kryeministri Berisha e njohu me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në këtë drejtim dhe e siguroi për mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare në krijimin e një klime sa më të favorshme për investimet në vend. Në këtë kontekst, Kryeministri tha se qeveria shqiptare është e gatshme t’i ofrojë biznesit kinez një zonë të lirë ekonomike për të investuar në Shqipëri, si dhe për t’i krijuar atij gjithë lehtësisë e nevojshme.
Zëvendëskryeministri kinez Hui Liangyu u shpreh i impresionuar nga zhvillimi i Shqipërisë dhe nga ndjenjat miqësore që ushqen populli shqiptar ndaj Kinës. Ai vuri në dukje mirënjohjen e popullit kinez për mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë Kinës që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.
“Mbështetja e kryeministrit Berisha për popullin kinez dhe kontributi i tij për zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe, vlerësohet shumë nga qeveria kineze”, tha Zëvendëskryeministri i Kinës.