Berisha thyen tabunë,kthehet pas 12 vitesh për miting në Tropojë
BLEDAR HOTI
Kreu i PD-së, Sali Berisha, i rikthehet vizitës në shtëpinë e tij në Tropojë pas 12 vitesh mungesë. Të hënën, sipas burimeve zyrtare të PD-së, bëjnë të ditur se lideri i demokratëve do të realizojë një miting në sheshin e qytetit “Bajram Curri” në orën 11:00 paradite. Zhvillimin e këtij takimi e konfirmoi mbrëmë për “Panorama” kreu i degës së PD-së, Besnik Dushaj. “Do të bëjmë një miting të madh në sheshin e qytetit, do të vijë e gjithë Tropoja që ta presë kryetarin e PD-së”, deklaroi për “Panorama”, Dushaj, i cili është edhe kandidat për deputet. Atëherë presidenti i vendit, Sali Berisha, shkoi për fushatë elektorale në Bajram Curri më 22 qershor të vitit 1997, ku do të shpallte kandidatin për deputet Azem Hajdarin. Gjatë këtij mitingu u zhvillua një incident, ku Shkëlqim Haklaj kontestoi fjalimin e ish-presidentit Berisha duke krijuar incidente. Që nga ajo periudhë në Tropojë ka pasur konflikte, ku si pasojë u vra në Tiranë edhe deputeti i PD-së, Azem Hajdari më 12 shtator 1998. Pikërisht mungesa e gjatë e kësaj vizite është përdorur nga socialistët për t’i kujtuar Berishës mos shkuarjen në vendlindjen e tij, në Tropojë. Kjo ka qenë edhe si një kalë beteje e socialistëve ndaj kryeministrit Berisha. Përmendja e fundit ishte ajo e liderit të PS-së, Edi Rama, i cili si kundërpërgjigje ndaj rivalit të tij politik i kërkoi kryeministrit të shkonte në Bajram Curri. “Dikush më sugjeroi rrugës kur po vija që t’i them Sali Berishës se plakur jemi; ne të gjithë bashkë tek Skënderbeu, po zotrote kur do të shkosh te Bajram Curri?”, tha Rama në mitingun e 9 qershorit në Fushë-Krujë. Ndërsa gjatë kësaj kohe, rivali i tij politik, Edi Rama ka vizituar dy-tri herë Tropojën gjatë këtij viti si për të sfiduar Berishën. Në fushatat elektorale të viteve të mëparshme, në 2005 dhe në 2007 u përfol që kryeministri Sali Berisha do të kryente vizita dhe takime me elektoratin në qytetin e Bajram Currit, por një gjë e tillë nuk e realizua.
Gjithashtu një ide për një vizitë në qytetin e Bajram Currit parashikohej dhe gjatë turit të kryeministrit “Shqipëria në NATO”, por sërish nuk u realizua. Kryeministri ka programuar javën tjetër të zhvillojë turin në verilindje të Shqipërisë. Pas takimit në Tropojë do të vazhdojë me mitingjet në Has dhe më pas në Kukës. Përveç takimeve elektorale pritet që kryeministri të përurojë dhe disa investime në këto zona verilindore. Pasditen e djeshme kryeministri ka zhvilluar takimet elektorale në rrethinat e Tiranës, në komunën e Paskuqanit, në bashkinë e Kamzës dhe më pas në zonën e Kombinatit, në njësinë bashkiake numër gjashtë të metropolit shqiptar. Kryeministri premtoi më tepër investime për zonën e Paskuqanit dhe të Kamzës.
Mitingu i 22 qershorit 1997
Presidenti i asaj kohe, Sali Berisha, 7 ditë përpara zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare të 29 qershorit parashikoi mbajtjen e një mitingu elektoral në vendlindjen e tij. Gjatë mitingut të zhvilluar në sheshin kryesor të qytetit të Bajram Currit pati incidente pikërisht gjatë fjalës së Berishës.
“Do ul moshën e pensionit të minatorëve”
Kryeministri Sali Berisha në takimet e tij elektorale në Përrenjas premtoi uljen e moshës së pensionit për minatorët. “Sali Berisha do të ulë me pesë vjet moshën e pensionit të tyre. Unë jam gati dhe kërkoj mirëkuptimin tuaj për këtë: më kërkoni rritje pensionesh, por jo statuse, sepse statuset nuk shkojnë me pensionet dhe unë do t’jua rris pensionet tuaja”, tha Berisha. Lideri i PD-së shtoi se, “Evropa sot është më blu se kurrë në historinë e saj, miqtë e PD-së dhe të Sali Berishës në Bruksel, në Berlin, në Paris, në Romë dhe kudo janë një garanci e madhe për projektin tonë europian. Ndaj le të bashkohemi bashkë, sepse kryetari juaj nuk ka marrë përsipër të udhëheqë ju, kryetari juaj ju kërkon votën, por për vete fshihet dhe nuk e vë emrin në listë”.
Korçë, dhunohet zyra elektorale
Dhunohet zyra elektorale e PS-së në lagjen 6 të Korçës. Persona ende të paidentifikuar kishin grisur flamurin kombëtar dhe flamurin e PS-së, të cilët ishin vendosur tek hyrja e zyrës, kishin hequr germat që shkruanin “Zyra elektorale e PS” dhe thyer xhamin e derës kryesore. Ben Blushi reagoi dje ashpër për dëmtimin e zyrës elektorale. Ai e ka cilësuar veprim të qëllimshëm të kryer nga persona të caktuar që nxiten nga PD-ja, duke u shprehur i pakënaqur dhe nga puna e policisë.
Klos, grushte mbi simpatizantin e PS
Dje pasdite është dhunuar në qendër të qytetit të Klosit një simpatizant i PS-së nga ato të PD-së. Shoferi i kryetarit të Bashkisë Klos, Bedri Hoxha, njëkohësisht kandidat i PD-së në Dibër, Bajram Bebja dhe kryetari i seksionit të PD-së për qytetin e Klosit, Zenel Vela, kanë dhunuar keqas me mjete rrethanore dhe grushte e shkelma simpatizantin e PS-së, Niko Nikolla. PS-ja e Matit deklaroi se dhunimi i Nikollës do të acarojë fushatën dhe se ata duhet të distancohen nga këto akte.
Olldashi merr voten e tregtareve
Kandidati i PD-së në qarkun e Fierit, Sokol Olldashi, vizitoi tregun e komunës Bubullimë dhe të fshatit Imsht të Lushnjës, ku kësaj here la tregtaret dhe përfaqësuesit e biznesit të vogël që të shpreheshin. "Gjërat po ecin shumë më mirë. Kjo qeveri të punoje siç ka punuar, po të mundë edhe më shumë", është shprehur një tregtar. "Ne do të punojmë më shumë", ia ka kthyer atij Olldashi, të cilit tregtarët i kanë garantuar se "votën e ke të marrë". Ministri theksoi se PD-ja në qarkun e Fierit do të dalë në maxhorancë.