Zeka varroset me flamurin e PD
DURRES/ OERD ULQINI
Atë flamur blu që donin t’ia ndalonin me plumba kallashi do ta ketë pafu-ndësisht me vete edhe në banesën e fundit. Përmes një ceremonie madhështore iu dha dje lamtumira e fundit militantit demokrat, Artan Zeka. Atij që më 28 qershor do t’i besohej detyra e komisionerit të Partisë Demokratike në komunën Katund i Ri.
Qindra persona morën pjesë në varrim, duke përcjellë trupin e pajetë të 32-vjeçarit, mbuluar me flamurët kuq e zi dhe atë të Partisë Demokratike. E gjithë ceremonia mori ngjyrim politik, pasi dhe familjarët e pjesëmarrësit e cilësuan atë një krim në emër të flamurit të PD-së. Arkivoli me trupin e pajetë të 32-vjeçarit është vendosur në banesën e fundit në orën 10:40 të së shtunës. Trupi i tij do të prehet në varrezat e fshatit Qerret, të cilat ndodhen fare pranë qendrës së banuar. Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, ministrat Sokol Olldashi dhe Gazmend Oketa, deputetët Astrit Patozi, Flori Bajramaj, Ferdinand Xhaferri, kryedemokrati durrsak Igli Cara etj., aktivistë të selisë blu i dhanë lamtumirën babait të tre fëmijëve. Ceremonia mortore ka vijuar mjaft e qetë, ndonëse ka qenë e monitoruar gjatë të gjithë kohës nga forca të shumta policie. Ndërkohë pak minuta përpara ceremonisë së lamtumirës kryeparlamentarja Jozefina Topalli ngushëlloi të afërmit e të ndjerit, duke nënvizuar në fjalën e saj faktin se vrasja është kryer nga segmente ekstremiste të majta. Nga ana e tyre, familjarët e Zekës shpreheshin mes vajit se “djalin tonë na e vranë komunistët”. Ata kishin larguar nga shtëpia tre fëmijët e mitur, për të mos qenë dëshmitarë të skenës së kujës që gruaja e Artanit, nëna dhe familjarët e tjerë kishin dhënë që prej momentit kur mësuan lajmin e rëndë.
Fjalën e lamtumirës në varrezat e fshatit Qerret e ka mbajtur deputeti i zonës Ferdinand Xhaferri, i cili një ditë më parë qëndroi bashkë me familjarët në spital, ku luftonte mes jetës dhe vdekjes. “Dëshmori i demokracisë, Artan Zeka u vra për flamurin e PD-së, asaj force politike që po e çon Shqipërinë në Evropë. E vranë ekstremistët socialistë që qëlluan për vdekje njeriun-flamur”, u shpreh Xhaferri. Ai, sipas Xhaferrit, ishte zgjedhur si personi që do të ishte komisioner i PD-së në zgjedhjet e 28 qershorit, por humbi jetën papritur. Një numër i jashtëzakonshëm njerëzish ishte derdhur rrugëve të fshatit Qerret, ndërkohë që policia kishte rrethuar shtëpinë e vrasësit Skënder Balla, për të parandaluar çdo incident të mundshëm. Në varrim mungoi si politika e majtë lokale, ashtu edhe ajo e qendrës. Ndërkohë që nga kahu i djathtë i politikës, veç PD-së për t’i dhënë lamtumirën e fundit Zekës kishin ardhur edhe ballistë, ish të dënuar politikë si dhe përfaqësues të forcave nacionaliste. Aty mungonin përfaqësues të së majtës, lokalë apo nga Tirana, duket për të shmangur ndonjë incident, përderisa krimi u cilësua nga demokratët si krim politik.
Ceremonia e lamtumirës zgjati afro 60 minuta dhe u mbyll më pas me takimin e të afërmve, ku mijëra persona u ndanë me dorën në zemër nga njeriu i tyre i dashur. E bashkë me Artanin, në banesën e fundit shkuan dhe dy flamujt, për të cilët ai dha jetën papritur.
Dëshmia: Zeka merrte bazën materiale në Durrës
Përfaqësues të Partisë Demokratike në Durrës konfirmojnë faktin se Artan Zeka prej kohësh ishte angazhuar vullnetarisht që të ndihmonte në përgatitjen e terrenit para zgjedhjeve të 28 qershorit. Burime nga kjo degë tregojnë se ai merrte bazën materiale në Durrës për ta shpërndarë në fshatin Qerret. Dhe pak ditë para krimit që i mori jetën, ai mësohet se kishte tërhequr nga dega e PD-së rreth 100 flamurë për t’i vendosur në fshatin e tij dhe në komunën përkatëse.
Babai i viktimës: Nuk e rrahëm Skënder Ballën
DURRES – Policia e Durrësit merr në pyetje familjarët e viktimës për të hedhur dritë mbi rrethanat e krimit të ndodhur mëngjesin e së premtes në fshatin Qerret. Burime të saj bënë të ditur se mbrëmjen e së njëjtës ditë u thirrën për të dhënë dëshmitë e tyre i ati i viktimës Artan Zeka dhe nipi i tij, të cilët sipas autorit Skënder Balla ishin të pranishëm në momentin e ushtrimit të dhunës. Balla, i arrestuar tashmë, ka deklaruar se kishte qëlluar për vdekje me automatik ndaj Zekës në shenjë hakmarrjeje për rrahjen që ata i kishin bërë pak minuta më parë. Nga ana e tyre, familjarët e Zekës e kanë mohuar që të kenë ushtruar dhunë ndaj bashkëfshatarit të tyre. “Ne nuk e qëlluam, vetëm u konfliktuam me të më parë për punën e flamujve. Unë hyra për të ndarë sherrin”, ka deklaruar babai i 32-vjeçarit, Zaim Zeka. Sipas tij, Skënder Balla u kishte hequr flamujt e vendosur më parë nga i biri, duke kërcënuar: “Unë do t’ua shkul prapë”. Kjo dëshmi është vënë para asaj të të arrestuarit Skënder Balla. Ai akuzoi Zekën dhe familjarët e tij se, ndërsa udhëtonte me makinë në mes të fshatit, ata iu hodhën sipër papritur, duke e rrahur dhe thyer xhamat e makinës. “Këtë që ndodhi nuk mund ta gëlltisja dot, prandaj veprova me gjaknxehtësi”, ka deklaruar Balla. Menjëherë pas krimit ai qëndroi i fshehur për disa minuta, derisa në fshat arriti policia. Mësohet se falë telefonatës që inspektori i rendit në zonë i bëri atij, Balla u bind të dorëzohej. “Jam fshehur nga frika, se mos më bien. Po erdhi policia, dorëzohem”, i ka thënë punonjësit të policisë në telefon, duke shprehur frikën se mund të merrej hak në gjaknxehtësi e sipër nga ajo që kishte ndodhur. Pasi uniformat blu u siguruan se arma ishte hedhur në një vend tjetër dhe autori nuk e kishte me vete i janë afruar atij, duke i vënë dhe prangat. Më tej u gjet dhe arma kallashnikov, në të cilën kishin mbetur vetëm 3 fishekë. Plot 14 të tjerë u qëlluan në oborrin e lokalit ku ndodhej dhe viktima, Artan Zeka, një prej të cilëve e përshkoi atë në pjesën e barkut, duke i shkaktuar vdekjen pas disa orësh. Krimi më i rëndë i ndodhur që nga nisja e fushatës zgjedhore u cilësua që në fillim si politik, pasi dhe policia e klasifikoi autorin si simpatizant i PS-së. Ndërsa viktima njihej dhe po angazhohej ditët e fundit me vendosjen e bazës materiale të PD-së në fshatin ku dhe jetonte. Pritet që nesër Balla të njihet në gjykatë me masën e sigurisë ndaj tij.