Armand Duka vë veton: Kampionati nuk ndryshon
Jetmir Halilaj
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit ka theksuar edhe njëherë se është kundër ndryshimit të numrit të skuadrave të Kategorisë Superiore, duke kundërshtuar hapur edhe disa nga anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, që janë shprehur pro kësaj nisme. Në një intervistë të dhënë në emisionin “ora-sport” të gazetarit Nertil Agalliu, kreu i institucionit të futbollit ka folur edhe për Kombëtaren shqiptare.
Si e gjykoni kampionatin që sapo u mbyll?
Kampionati i fundit ka bërë hapa përpara sepse dhe uroj dhe shpresoj që të gjithë të kenë marrë maksimumin. Ky kampionat që u nda në momentet e fundit, ka dhuruar shumë emocione. Jemi dëshmitarë të stadiumeve të mbushura. Kemi fituar më shumë spektatorë.
Pse ndryshoi finalja e Kupës së Shqipërisë?
E kam dëgjuar shpesh këtë koment abuziv. Finalja ka qenë e parashikuar të luhej më 6 maj, por kjo nuk do të thotë se duhet të përligjë manipulime rezultatesh. Kjo është e faktuar edhe në dokumentet themelore.
Në fund të kampionatit ka pasur dyshime për tolerime, madje kanë nisur edhe hetimet për ndeshjen Bylis-Shkumbini, deri ku kanë arritur investigimet?
Nuk jam unë që merrem me hetime. Megjithatë unë besoj se ky i yni deri në ditën e fundit ka qenë një nga kampionatet më serioze të Evropës, pavarësisht se ka zëra të tillë. Ka shumë më pak gjëra negative se në sezonet e kaluara. Nëse do të vërtetohen zërat për tolerime, do të ketë masa drastike.
Si do të veprohet?
Ashtu si e përcakton rregullorja.
Çfarë do të ndohë me Partiznain, mos ndoshta duhej të ishte shpallur falimentimi i tij?
Nëse ky klub shkon në faliment është tjetër gjë, por Partizani nuk ka shpallur faliment që më pas të ndërhyet. Është një klub që ka funksionuar. Në garë ka edhe klube amatore, këto janë çështje të brendshme të klubit.
Gjyqtarët, këtë sezon kanë qenë shumë të përfolur?
Për sa kohë që unë kam parë futboll dhe kam dëgjuar për këtë sport, gjyqtarët do të përfliten. Është në natyrën e njerëzve, të cilët janë të prirë që ta vënë re një gabim të gjyqtarit dhe ta dramatizojnë atë. Nuk mund të themi se kemi gjyqtarët më të mirë në botë, por as më të këqijtë.
Është përfshirë edhe emri juaj në një ‘sms’ të një gjyqtari...
Këto janë idiotësi, nuk merrem me idiotësi.
Këtë sezon janë ngjitur në Superiore skuadra si Laçi dhe Gramozi, a janë gati këto klube me infrastrukturën që kanë për të garuar në Kategorinë Superiore?
Futboll sot mund të luhet në çdo qytet. Mund të them se fusha e Laçit është ndër më të mirat. Ne po punojmë dhe po vazhdojmë për përmirësimin e infrastrukturës. FSHF-ja me një projekt të saj i cili ka filluar dhe po rregullohen pesë fusha të stadiumeve të rëndësishme si dhe 12 fusha stërvitore. Në vitin 2010 do të luhet në çdo orar në stadiumet e Elbasanit, Durrësit, Lushnjes, Fierit Korçës dhe Vlorës.
Çfarë do të bëhet në lidhje me projektin për një stadium modern?
Është i domosdoshëm një impiant i ri dhe modern që t’iu përshtatet kërkesave. Në Shqipëri nuk kemi asnjë stadium që të plotësojë të gjitha kushtet. Duke u nisur nga këto. FSHF me gjithë vullnetin e saj nuk ka gjetur mbështetje dhe as bashkëpunim nga qeveria shqiptare në aspektin financiar. Nga qeveria ne na duhet vetëm një vend, pra trualli. Në këto kushte ne kemi gjykuar dhe më pas kemi vendosur që të paraqesim një projekt në MTKRS për rikonstruksionin e stadiumit “Qemal Stafa”.
Formula e kampionatit mbetet një debat i zjarrtë, madje edhe brenda mureve të FSHF-së, ju si mendoni?
Personalisht nuk kam marrë pjesë në nivele diskutimesh me bashkëpunëtorët e mi. Kjo është çështje teknike. Për skemën apo për ekipet, kjo është një çështje që e kanë diskutuar teknikët. Unë kam dhënë opinionin tim, por nuk ka qenë vendimtar. Jam i hapur për të diskutuar në lidhje me këtë. Kam dëgjuar se disa specialistë, apo edhe anëtarë Komiteti duan të bëjnë të mirin me të gjithë, por ne duhet të bëjmë të mirin me lojën. Nuk mundet që për hir të disa ndereve të prishim rregullat e lojës, rregulla që janë vënë nga ndërkombëtarët. Jam pro zbatimit të rregulloreve dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim. Po gjetët një vend tjetër ku ndodh kjo, atëherë jam gati të ndërroj mendje. Është e palejueshme të ndryshohen rregullat në këtë mënyrë. Edhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, duhet ta dinë këtë.
Partizani dhe Elbasani në kategorinë e Parë...
Partizani është nj ekip shumë popullor që duhet të marrë më shumë. Nuk është normale që të ndërhysh për të kuruar dikë, pasi çdo njeri duhet të ketë tendencën për t’u vetëkuruar.
Hani, iku apo e hoqët?
Ishte një kërkesë e jona. Kërkuam një zgjidhje të ndërmjetme. Hani dha maksimumin, por kjo nuk mjafton shpesh herë.
Ka thënë se këtu nuk kishte kushte?
I kam lexuar, por jam i bindur se janë spekulative. Të gjithë jemi dëshmitarë të kushteve të Kombëtares.
A keni pasur kontakte me të?
Asnjë kontakt që pasi është larguar.
A do të jetë Oto Bariç konsulent i Kuzhesë?
Ai ka shumë eksperiencë dhe do të ishte mirë për ne nëse do të shfrytëzonim potencialin e tij.