E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, tjetër dopietë, por De Biazi e snobon

AUSTRALI- Besart Berisha ka realizuar një tjetër dopietë në kampionatin australian, duke i dhënë fitoren 3-2 ekipit të tij Brisbane Roar ndaj rivalëve të Melburn Victory. Sulmuesi kosovar arriti të eklipsonte ish-yllin e Liverpulit Herri Kjuell, duke u shfaqur edhe njëherë hero përballë 18,523 tifozëve në “Suncorp Stadium”. Ai shënoi golin e parë pas vetëm 43 sekondash, duke e bërë gjithçka më të lehtë për Brisbane. Në minutën e 10-të, Kjuell barazoi shifrat në 1-1, por ishte sërish sulmuesi kosovar ai që realizoi golin e avantazhit 2-1 në minutën e 32-të. Brisbane e çoi rezultatin në 3-1 përpara pushimit, ndërsa në pjesën e dytë, sërish Kjuell shkurtoi shifrat. Dopieta e djeshme e ka futur në histori Besart Berishën. Ai arriti kuotën e 14 golave këtë sezon, një rekord për klubin e Brisbane Roar. Vetëm 3 ditë pasi rinovoi kontratën, ai është konfirmuar si idhulli i ri i tifozerisë. E megjithatë, Berisha nuk do të jetë sërish në kombëtare për ndeshjen miqësore ndaj Gjeorgjisë, ndonëse për momentin është sulmuesi më në formë i Shqipërisë. Burime zyrtare nga FSHF bëjnë të ditur se ai nuk është thirrur për shkak edhe të largësisë së Australisë, pasi ndeshja me Gjeorgjinë luhet të mërkurën, më 29 shkurt.

CANA
Në Itali, mesfushori i kombëtares shqiptare Lorik Cana ka thyer heshtjen pas një kohe të gjatë, duke folur për situatën e tij, por duke lakuar edhe Gallatasarajin, që është duke kryesuar bindshëm kampionatin turk. “Edhe pse jam larguar, kam mbetur një tifoz i Gallatasarajit, - deklaroi Cana. – Shpresoj që ata të fitojnë kampionatin këtë vit, pasi kanë një skuadër të fortë dhe një trajner shumë të mirë. Muslera? Mendoj se do të qëndrojë te Gallatasaraji. Këtu më thonë të gjithë se Fernando ka bërë gjëra të mira kur ka qenë te Lacio dhe se është një portier i zoti. Mendoj se do ta ketë të vështirë të ndryshojë ambient. Është duke ecur shumë mirë, ndërsa edhe pse shumë i ri, ka një eksperiencë të madhe. them se është një nga portierët më të mirë në Evropë”. Cana ka folur edhe për aventurën e tij te Lacio. “Kampionati italian është vërtet shumë i vështirë, por Lacio është duke ecur mirë dhe jemi në vend të tretë. Objektivi ynë është Champions League dhe nëse ia arrijmë, ndoshta mund të luajmë me Gallatasarajin sezonin tjetër. Do të ishte diçka e bukur”, deklaroi Lorik Cana.

ROSHI
Odise Roshi ka qenë sërish protagonist me skuadrën e tij, Këlnin, në ndeshjen e djeshme kundër Nurembergut, në Bundesligë. Kur rezultati ishte 1-0 për vendasit, Roshi pasoi saktë për Novakoviç, që shënoi. Por, Këlni në fund u mposht 2-1, pasi Nurembergu realizoi 5 minuta para fundit.
(m.a/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›