E Diel, 1 Nëntor 2026

Uidhers: “KQZ-ja ka meritën e transparencës maksimale në këto zgjedhje”



Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e akreditimit të vëzhguesve, ambasadori amerikan Xhon Uidhers vlerësoi punën e bërë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për rritjen e transparencës së procesit zgjedhor. Uidhers inkurajoi KQZ-në që të vazhdojë punën profesioniste që ka ndërmarrë që në fillim të këtij procesi zgjedhor.
“KQZ-ja meriton shumë mbështetje dhe inkurajim për nismën e ndërmarrë për një transparencë të plotë në këto zgjedhje dhe për masat që ka marrë për t’i përgatitur Shqipërinë dhe shqiptarët të marrin pjesë në këto zgjedhje. Unë inkurajoj KQZ-në që të vazhdojë punën e nisur në mënyrë profesionale dhe në mënyrë të paanshme. Kjo është një përpjekje heroike që nuk ka ndodhur kurrë më parë për një transparencë maksimale ndaj gjithë procesit zgjedhor”, - është shprehur ambasadori amerikan.
I pranishëm në këtë takim ishte dhe kreu i Komisionit Zgjedhor, Arben Ristani, i cili ka prezantuar skemën e numërimit të votave në 66 qendrat, të cilat do të jenë të lidhura me një rrjet dhe do të monitorohen nga kamerat.
Sipas tij, rezultati i sfidës së 28 qershorit këtë herë do të dalë më parë pasi procesi i numërimit të votave do të ndiqet në kohë reale nga kamerat. Por KQZ-ja këtë herë do të ndihmohet dhe nga 450 vëzhguesit e organizatave “ECA” dhe “KRIIK”, të cilët paralelisht do të ndjekin numërimin dhe shpalljen e rezultatit. “Informacionet që do të vijnë kuti pas kutie në KQZ dhe të dhënat që do të dalin nga ky informacion do të transmetohen në faqen e internetit të KQZ-së dhe do të keni pamje direkte nga të gjitha vendet e numërimit të votave dhe me figurë. Do të ndërtojmë në mënyrë grafike rezultatin kuti pas kutie”, - bëri të ditur kreu i KQZ-së, Arben Ristani.
Kryetari i prezencës së OSBE-së, Robert Bosh, nga ana e tij, theksoi se projekti për shpalljen e rezultatit në kohë reale i rrit sigurinë dhe besueshmërinë procesit zgjedhor. “Çdo mekanizëm, çdo mjet apo veprimtari që i shërben forcimit dhe ruajtjes së një besimi më të madh të publikut ditën e zgjedhjeve mund të mirëpritet dhe të përqafohet”, - tha Bosh. Më tej, Bosh ka përgëzuar Ristanin, si kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për “punën dhe mundin e tij në përgatitjen e këtyre zgjedhjeve, si dhe për përpjekjet për ta orientuar procesin në ujëra të qeta”.
“Ne i vlerësojmë përpjekjet tuaja për ndërtimin e një konsensusi në vendimet tuaja dhe mezi presim të shohim që ta arrini këtë, sidomos në lidhje me qendrat e votimit dhe të numërimit, ku rregullat e Kodit Zgjedhor do të duhet të respektohen në mënyrë të rreptë teksa i afrohemi gjithmonë e më shumë 28 qershorit dhe të periudhës pas tij”, - tha Bosh.

25 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›