E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, tur përurimesh: “Do të asfaltoj të gjitha rrugët e bregdetit”



Kryeministri Berisha përuroi dje rrugën e re turistike Tale-Lezhë, me gjatësi 9.5 kilometra, me vlerë rreth 85 milionë lekë, si dhe fillimin e punimeve për rrugën dytësore Lezhë-ish-SMT-Rrillë, me vlerë investuese rreth 900 mijë euro. Më pas, kryeministri Berisha u takua me banorë të komunës së Shënkollit në Lezhë, të cilëve u uroi rrugën e re që lidh komunën me bregdetin, duke e cilësuar atë si një prej rrugëve më të bukura turistike. Kryeministri u shpreh se rruga e sapopërfunduar do të mundësojë që qytetarët e Lezhës, të Mirditës, Burrelit, Peshkopisë, Tropojës, por edhe të mbarë Kosovës, të shfrytëzojnë bukurinë e mahnitshme të plazhit të kësaj zone. Berisha theksoi se përurimi i kësaj rruge përbën një akt të rëndësishëm në angazhimet dhe në projektet e qeverisë për të asfaltuar çdo kilometër rrugë që shkon drejt detit, nga Velipoja në Ksamil. Duke siguruar se së shpejti projekte të tjera të rëndësishme do të fillojnë në këtë zonë, Berisha garantoi se qeveria do të vazhdojë të financojë çdo projekt në të mirë të qytetarëve, në mënyrë që të lehtësojë veprimtarinë e tyre, të modernizojë shërbimet ndaj tyre, duke u dhënë kështu mundësi më të mira për të ndërtuar të ardhmen. Berisha gjithashtu shprehu bindjen për liberalizimin e vizave brenda këtij viti. “Ky vit është një vit i madh për ne. Është një vit i madh për të gjithë shqiptarët. Këtë vit ne do të fitojmë të drejtën të lëvizim të lirë në mbarë Europën. Kjo përbën një arritje historike, të pritur në shekuj nga shqiptarët”, - është shprehur Berisha.

10 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›