E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendje dramatike, 5 grevistë përfundojnë në spital



Albert Gjoka

Dita e shtunë ka shënuar numrin më të madh të grevistëve të shtruar në spital, duke dhënë shenjat e një situate tejet kritike. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit kanë ndërprerë përkohësisht grevën pesë protestues, ndërsa mjekët pohojnë se gjendja është kritike pas ditës së tetë të protestës. Që në orët e para të mëngjesit, Klodian Rira nga Përrenjasi, është nisur për në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza. Që prej mbrëmjes së 30 prillit dhe deri tani numri i personave që kanë marrë ndihmë të specializuar ka shkuar në 11 dhe vetëm njëri prej tyre është larguar nga greva për shkak të problemeve të rënda shëndetësore. Mbrëmë, sapo mbaroi protesta e radhës së PS-së, u regjistrua edhe një tjetër rast. Mjekja Alketa Hila ka pohuar dje se Blendi Klosi, Besnik Bare dhe Agim Leka kanë shfaqur shqetësime gjatë ditës së shtunë.

Urgjenca
Pesë grevistë janë detyruar të ndërpresin përkohësisht protestën e tyre në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pasi nuk kanë arritur të përballojnë lodhjen e 8 ditëve të grevës. Rreth orës 08:30, mjekët e grupit të grevës nxorën jashtë çadrave 29-vjeçarin Klodian Rira. Pa kaluar as dy orë, ambulancat dërguan në spital Bledar Muçën dhe më pas Salarjan Totën, 24-vjeçarin nga Fieri. Pikërisht, sapo ka kaluar piku i ditës, rreth orës 14:50, edhe Arben Begaj, 26 vjeç, është detyruar ta lërë përkohësisht grevën. Alfed Davidhi, 36 vjeç, nga Fieri, ka ndërprerë grevën mbrëmë dhe është transportuar me urgjencë në spital, pasi është përkeqësuar gjendja e tij shëndetësore. Dje paradite, kryetari i PS-së vizitoi grevistët e shtruar në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë.

Gjendja
Mjekja Alketa Hila, që kujdeset për grevistët socialistë, ka deklaruar dje se gjendja shëndetësore e pjesëmarrësve ka filluar të përkeqësohet. Në një prononcim për mediat, Hila ka bërë të ditur se më problematike situata paraqitet për deputetët Besnik Baraj dhe Agim Leka. “Gjendja po përkeqësohet në mënyrë dramatike. Rastet konkrete janë deputeti Besnik Baraj, i cili është në gjendje të rëndë. Nga tensioni i lartë ka rënë në të ulët, ka filluar të marrë likide, po trajtohet, por refuzon të shkojë në spital”, - tha zonja Hila. Sipas saj, edhe deputeti tjetër, Agim Leka, është në gjendje të rëndë dhe pavarësisht ndërhyrjes së stafit mjekësor, ai nuk pranon të shkojë në spital”.
Por sipas mjekes, përveç deputetëve janë edhe dy qytetarë të tjerë, mbështetës të PS-së, të cilët janë dërguar në spital për mjekime të specializuara. “Janë edhe dy të rinj të tjerë, njëri prej të cilëve, për shkak të dhimbjeve të forta të barkut, është shoqëruar për në kirurgji. Ndërsa tjetri u dërgua në spital sot në mëngjes”, - ka shtuar mjekja Hila. Brenda kampit opozitar të protestës, i ngritur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ka një personel mjekësor dhe një infermieri të improvizuar. Në mbështetje të personelit mjekësor është edhe mjeku kardiolog Sabit Brokaj. Ndërsa jashtë mjediseve të grevës ndodhen në çdo orë tri autoambulanca, në shërbim 20 orë. Deri tani PS-ja ka refuzuar të lejojë praninë e ekipeve mjekësore të Ministrisë së Shëndetësisë për të ofruar shërbim në mjediset e brendshme të grevës.
Tri ditë më parë, ministri Petrit Vasili kërkoi nga Partia Socialiste që të lejohen ekipet e QSUT-së për të bërë monitorimin e protestuesve. Por, deri tani situata është përballuar nga personeli i zgjedhur nga organizatorët e grevës.
Ndonëse greva hyn sot në ditën e nëntë, ende nuk ka shenja për një afrim mes palësh, në kërkim të një zgjidhjeje. Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka njoftuar se greva do të ndërpritet vetëm kur të arrihet një marrëveshje për çështjen e hetimit të zgjedhjeve të 28 qershorit.

STATISTIKA

Më datë 30 prill, në mbrëmje, hynë në mjediset e grevës 202 persona, 22 prej tyre janë deputetë. Aktualisht, vetëm njëri prej grevistëve, Romeo Sionaj, nga Vlora, e ka ndërprerë grevën pasi përfundoi në spital. Ai pësoi vdekje klinike dhe falë ndërhyrjes së mjekëve u bë e mundur që të mbahej në jetë. Deri mbrëmjen e djeshme ishin të shtruar në spital 6 protestues. Ndërsa gjithë të tjerët janë rikthyer në grevë. Njëra prej tyre, deputetja e PS-së, Klodiana Spahiu, me profesion mjeke, u rikthye duke ofruar shërbimin mjekësor për grevistët. Mbrëmë kanë kaluar natën në mjediset e grevës 195 deputetë dhe mbështetës të PS-së.

GREVISTËT NË SPITAL (ORË PAS ORE)

Ora 08:30 – del grevisti Klodian Rira, 29 vjeç

Ora 10:30 - del grevisti Bledar Meço,

Ora 11:40 - del grevisti Salarjan Tota, 24 vjeç

Ora 14:50 - del grevisti, Arben Begaj, 26 vjeç

Ora 21:00 - del grevisti Alfred Davidhi, 36 vjeç

GREVISTËT ME PROBLEME
Blendi Klosi
Besnik Bare
Agim Leka
Elisa Spiropali
Olta Xhaçka

LISTA E GREVISTËVE QË KANË MARRË NDIHMË

Alfred Davidhi, në spital
Arben Begaj, në spital
Salarjan Tota, në spital
Bledar Meço, në spital
Klodian Rira, në spital
Isa Arapi, në spital
Niko Gora, në spital
Edmond Prifti, i kthyer
Demo Muhaj, i kthyer
Ramazan Caka, i kthyer
Romeo Sinaj, i larguar
Klodiana Spahiu, e kthyer

10 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›