E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadorët propozojnë marrëveshje duke hapur kutitë e materialeve zgjedhore



Eljona Ballhysa
Socialistët dhe demokratët mund të nënshkruajnë një marrëveshje për hapjen e kutive që mbajnë materialet zgjedhore, duke i dhënë fund grevës së urisë dhe krizës politike në vend. Burimet kanë bërë të ditur se ky është propozimi i hedhur së fundi nga ambasadorët e BE-së në Tiranë. Gjatë takimit me presidentin Topi, ambasadori i Komisionit Europian, Helmut Lohan dhe ambasadori i Spanjës që mban presidencën e radhës së BE-së, Manuel Montobio, kanë hedhur pikërisht për diskutim këtë propozim që pritet të bashkojë dy kampet e politikës shqiptare. Kjo përmbush një nga kërkesat e PS-së që nëpërmjet verifikimit të materialeve zgjedhore kryejnë hetimin e procesit zgjedhor dhe nuk cenon Kushtetutën apo ndonjë vendim gjykate, siç pretendon PD-ja. Pritet që ky propozim të negociohet edhe në ditët në vazhdim me eksponentë të dy partive të mëdha politike në vend. Negociatat pritet të zhvillohen nën drejtimin e presidentit Topi dhe nën presionin dhe nxitjen e ndërkombëtarëve në Tiranë për arritjen e një marrëveshjeje që do të zhbllokojë situatën politike në vend. Faktori ndërkombëtar në Tiranë mësohet se po bën të gjitha përpjekjet që marrëveshja të arrihet para datës 11 maj, ditë kur zhvillohet në Bruksel mbledhja e Komitetit për Stabilizim-Asocimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.
Ligji
Nga pikëpamja teknike, hapja e kutive të materialeve zgjedhore është diçka që nuk mund të pengohet, pasi nuk është rinumërim votash dhe as verifikim vote, por thjesht konstatim i procedurës së votimit, që është kompetencë e hetimit parlamentar në çdo kohë. Në këtë mënyrë, Kuvendi nuk shkel Kushtetutën përsa i përket parimit të ndarjes së pushteteve dhe as vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mënyrën e funksionimit të komisioneve parlamentare hetimore.
Gjykata Kushtetuese, në një vendim të vitit 2003, parashikon që komisionet hetimore parlamentare duhet të respektojnë parimin e ndarjes së pushteteve, parim i cili nënkupton në mënyrë të veçantë përcaktimin e marrëdhënieve ndërmjet autoritetit të gjykatave dhe pushteteve të tjera. Sipas Gjykatës Kushtetuese, vendimet gjyqësore mund të ndryshohen vetëm nga një autoritet më i lartë gjyqësor. Këto parime përjashtojnë çdo formë kontrolli parlamentar mbi aktivitetin juridiksional të gjykatave. Ndaj dhe është propozuar vetëm hapja e kutive të materialeve zgjedhore, pasi Kuvendi ka të drejtë të shikojë se si është zbatuar ligji zgjedhor në procesin e fundit elektoral pa shqyrtuar asnjë vendim gjykate dhe pa bërë rinumërim votash.
Takimi
Kriza politike në Shqipëri pritet të jetë tema kryesore e diskutimit gjatë mbledhjes së Komitetit për Stabilizim-Asocimin mes delegacionit shqiptar dhe Bashkimit Europian që do të mbahet ditën e hënë në Bruksel. Megjithëse palët do të shqyrtojnë edhe çështje të tjera, ku përfshihen reformat ekonomike e ligjore, debati pritet të përqendrohet pikërisht te kriza politike, qëndrimi i maxhorancës, ai i opozitës dhe shqyrtimi i mundësive konkrete për të dalë nga situata. Pritet që Brukseli, ashtu si dhe herët e tjera, t’i bëjë apel politikës shqiptare që të zgjidhë sa më parë krizën politike duke bërë transparencën e zgjedhjeve në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

10 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›