Dule: “Aksioni i opozitës do ti japë fund manipulimit të zgjedhjeve”
Kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, deklaroi se aksioni politik i opozitës nuk do të sjellë vetëm hapjen e kutive, por do t’i japë fund njëherë e përgjithmonë historisë së zgjedhjeve të manipuluara. “Kjo lëvizje nuk do të hapë vetëm kutitë, por do të sjellë dhe një ndryshim të madh, garanci se në Shqipëri asgjë nuk do të jetë më si dje, nuk do të ketë më votë të vjedhur e zgjedhje të manipuluara”, - theksoi Dule.
Shalsi: “Nuk heqim dorë nga një Shqipëri demokratike”
Deputeti socialist, Eduard Shalsi, theksoi vendosmërinë e opozitës për të sakrifikuar në emër të kauzës për transparencë. “Ne refuzojmë që Shqipëria nuk mund të realizojë zgjedhje me standarde. Sali Berisha dëshmon çdo ditë se është profet i urrejtjes, por ne nuk heqim dorë nga kërkesa jonë, sepse nuk duam të heqim dorë nga një Shqipëri demokratike. Nuk mund të ketë Shqipëri demokratike pa zgjedhje demokratike dhe nuk mund të ketë zgjedhje demokratike pa hapur kutitë”, - u shpreh Shalsi.
Majko: “Berisha të nisë dialogun për t’i dhënë zgjidhje krizës”
Deputeti i Partisë Socialiste dhe ish-kryeministri Pandeli Majko, i ka bërë thirrje kryeministrit Sali Berisha të nisë sa më parë dialogun në të mirë të zgjidhjes së ngërçit politik. “Jemi këtu për të treguar të vërtetën, sepse e vetmja e vërtetë është ajo e votës së lirë. I bëj thirrje Berishës: Ulu në tavolinë dhe dialogo me vëllezërit e tu”, - u shpreh Majko, duke nënvizuar se greva e urisë nuk është një përpjekje për të marrë pushet, por një sakrificë për të kërkuar liri dhe drejtësi.
10 Maj 2010