Mëhilli: “Rama po shkel Konventën e Gjenevës me grevën e urisë”
Partia Demokratike ka akuzuar dje kreun e PS-së, Edi Rama, për shkelje të Konventës së Gjenevës me zhvillimin e grevës së urisë duke rrezikuar jetën e grevistëve. Nëpërmjet zëdhënëses për shtyp, Mëhilli, PD-ja i bëri thirrje Ramës që të bëjë transparencën e gjendjes shëndetësore të grevistëve dhe të pranojë shërbimin zyrtar shëndetësor. “Edvin Kristaq Rama dhe Gramoz Ruçi vazhdojnë të bllokojnë shërbimin zyrtar shëndetësor për grevistët, duke u dëshmuar kështu shqiptarëve se çfarë janë të aftë të bëjnë në kurriz të shëndetit të njerëzve bllokmenët e rinj me në krye Edi Ramën. Me këtë qëndrim i kujtojmë zotit Rama se po shkel rëndë jo vetëm ligjet e vendit dhe Kushtetutën, e cila u garanton shërbim shëndetësor gjithë qytetarëve në nevojë të këtij vendi, por po shkel njëkohësisht Konventat e Gjenevës dhe Vendimet e Gjykatës së Strasburgut mbi çështjet e grevës së urisë dhe të të burgosurve. Partia Demokratike i kërkon zotit Rama të bëjë transparencë urgjente, të lejojë ekipet zyrtare shëndetësore të kontrollojnë shëndetin e grevistëve”, - është shprehur Mëhilli.
Brokaj: “Grevistët me diabet janë në rrezik”
Mjeku Sabit Brokaj, që ka mbajtur nën monitorim gjithë gjendjen shëndetësore që prej fillimit të grevës, ka deklaruar se protestuesit që vuajnë nga diabeti apo sëmundjet e tensionit janë më të rrezikuarit. Madje ai ka kërkuar që ata të ndërpresin grevën. Ai ka sqaruar gjithë ecurinë shëndetësore dhe shenjat që shfaqen në këtë fazë. Organizimi humb fuqitë kompensuese në ditën e shtatë të tij. Për pasojë, trupi konsumon energjitë rezervë. Grevistët kanë shfaqur simptoma të tilla si luhatje tensioni, marrje mendsh, diarre etj.
10 Maj 2010