E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot bllokohet qarkullimi në kryeqytet, protestë masive përpara Kryeministrisë

Rama: “E ardhmja e Shqipërisë nuk mund të mbahet peng nga pushteti i vjedhur”

Simpatizantë të Partisë Socialiste nga e gjithë Shqipëria do të marrin pjesë sot në mesditë në protestën masive të opozitës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ashtu siç ishte paralajmëruar edhe nga drejtues të lartë të Partisë Socialiste, sot, në Ditën e Europës, të gjithë protestuesit do të bllokojnë rrugët e kryeqytetit duke u drejtuar përpara Kryeministrisë. Protestuesit do të mbajnë pankarta në duar për transparencën e zgjedhjeve, krizën ekonomike, rritjen e kostos të jetesës. Rama ka deklaruar disa ditë më parë se “në Ditën e Europës do të rrëzojmë regjimin fashist të kryeministrit Sali Berisha” dhe e ka ftuar popullin opozitar të dalë në bulevard. Ndërsa pasditen e djeshme kanë mbërritur protestues nga Korça e Gjirokastra, të cilët kanë marshuar nga stadiumi “Qemal Stafa” drejt selisë së Kryeministrisë për të protestuar për të drejtën e votës së lirë. Pak momente përpara se të ndaleshin përpara Kryeministrisë janë ndalur përpara Televizionit Publik Shqiptar duke e qëlluar me vezë. Kjo protestë drejtohej nga deputeti Namik Dokle.
Rama
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, në protestën e pasdites deklaroi se e ardhmja e Shqipërisë nuk mund të mbahet peng nga ky pushtet i votave të vjedhura. Duke marrë shkas nga deklarata e djeshme e Partisë Demokratike për hyrjen në ambientet e grevës të ekipeve mjekësore, Rama e cilësoi këtë qëndrim si një kërkesë për transparencë që bie ndesh me arsyen e stërmundimit të protestuesve që janë këtu si pasojë e moshapjes së kutive të votimit dhe zbardhjes së krimit elektoral të 28 qershorit. “Frika është arma e fundit me të cilën Berisha po mban pushtetin e kutive të mbyllura", - u shpreh Rama.
Kreu socialist vlerësoi frymën e lartë të moralit, vendosmërisë së grevistëve, si dhe mbështetësve nga e gjithë Shqipëria.
Dokle
Deputeti i Partisë Socialiste, Namik Dokle, i cilësoi kërkesat e opozitës si kërkesat më të thjeshta në botë, për të cilat nuk ka asnjë vendim që ndalon përmbushjen e tyre. “Kërkojmë gjënë më të thjeshtë të botës, dua të shoh votën time, dua të di kush votoi në emrin tim dhe votoi pa pasaportë, pa kartë, pa ardhur fare nga emigracioni, kush e manipuloi votën time, kush e shkeli të drejtën time. Ekuacioni kutitë e mbyllura ka vetëm një zgjidhje: kutitë e hapura, prandaj ne kërkojmë të hapen kutitë”, - u shpreh Dokle. Deputeti Dokle i quajti grevistët “misionarë të lirisë, të cilët nuk po cenojnë askënd, por po luftojnë për të drejtën e votës së lirë.

10 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›