Shqiptarët në Greqi mbështetin grevën e Partisë Socialiste
Mbështetës të Partisë Socialiste u grumbulluan dje në Athinë për të shprehur solidaritetin e tyre me grevën e urisë së deputetëve këtu në Tiranë. Shqiptarët që jetojnë në Greqi dhe janë anëtarë të degës së PS-së, u mblodhën në zyrat e partisë simotër PASOK në kryeqytetin grek. Kryetari i grupit socialist, Anastas Murati, ka premtuar mbështetje të nismës për sigurimin e transparencës zgjedhore. “Ju jeni në krye të sakrificës dhe ne jemi me ju. Një pjesë e aktivistëve tanë këtu do të dërgohen në Tiranë”, - deklaroi Murati.
Socialistë të Vlorës protestojnë në mbështetje të grevës së urisë
Militantë socialistë të fshatrave të Vlorës bllokuan dje për 30 minuta rrugën lidhëse të fshatit Kote me rrugën kryesore. Në këtë protestë, e cila vjen pas bllokimit të urës së Peshkëpisë, ka marrë pjesë edhe deputeti i Vlorës, Fatmir Toçi, i cili ka shprehur dhe njëherë mbështetjen që u jepet grevistëve të urisë. Deputeti Toçi u ka bërë thirrje protestuesve që sot të jenë të gjithë në Tiranë. Gjatë gjithë protestës, policia ka qenë prezente duke mos lejuar që asnjë mjet të mos kalojë pa mbaruar protesta.
Durrës, protestë e Forumit të Gruas së Partisë Socialiste
Forumi i Gruas së Partisë Socialiste në Durrës organizoi paraditen e djeshme një protestë paqësore në shenjë solidariteti dhe në mbështetje të grevistëve të urisë.
Gjatë kësaj proteste u janë përcjellë mesazhe të gjithë qytetarëve durrsakë dhe atyre të Shqipërisë që të bashkojnë vullnetin dhe forcën për t'i hapur rrugë procesit të transparencës së votës së lirë. Vajza, gra dhe nëna durrsake u bënë apel qeveritarëve shqiptarë që të dëgjojnë zërin e fuqishëm të protestueseve që mbushin bulevardin “Dëshmorët e Kombit” çdo natë dhe i bashkëngjiten kurajës e vetëmohimit të grevistëve të urisë në kërkim të një demokracie të vërtetë.
10 Maj 2010