Topi në Sofje, mbështet projektet e mëdha energjetike
Presidenti Bamir Topi gjatë samitit Gazi natyror për Evropën: Siguria dhe Partneriteti, e ka cilësuar si një nga sfidat kryesore për çdo vend të rajonit, sigurinë dhe qëndrueshmërinë me energji. Kreu i shtetit gjatë fjalës së tij deklaroi se në këto, momente kur e gjithë bota po vuan nga pasojat e krizës ekonomike, është e nevojshme që të mbështeten projektet e mëdha energjetike.
Ai ka theksuar mbështetjen që i jep Shqipëria përpjekjeve dhe veprimeve konkrete në drejtim të kooperimit dhe integrimit të burimeve dhe të sistemeve të furnizimit me gaz, ndërmjet vendeve të Detit të Zi dhe të Europës Juglindore. Si vend me një sistem energjetik të pabalancuar, me një treg me përmasa të vogla dhe me linja të pakta të interkoneksionit me vendet fqinje, Shqipëria nuk është e lidhur me rrjetin ndërkombëtar të gazit natyror, gjë që ndikon në sigurinë dhe qëndrueshmërinë e zhvillimit ekonomik të saj. Shqipëria ka një program të veçantë strategjik, që mbështet zhvillimin e burimeve dhe rrjeteve energjetike, për integrimin e tyre në tregjet rajonale dhe evropiane, veçanërisht, projektin e gazsjellësit Trans Adriatik që lidh Greqinë me Italinë nëpërmjet Shqipërisë, si dhe gazsjellësin Adriatik Jonian, që lidh vendet e Ballkanit Perëndimor, nënvizoi presidenti Topi. Duke përmendur krizën financiare që po vuan ekonomia botërore, kreu i shtetit ka deklaruar se është e nevojshme mbështetja që duhet ti jepet projekteve të mëdha të infrastrukturave energjetike dhe, veçanërisht, gazsjellësve, depozitimeve nëntokësore dhe terminaleve të gazit. Ndër të tjera, kreu i shtetit ka veçuar se. Me pjesëmarrjen e saj në këtë Samit, Shqipëria konfirmon vullnetin dhe interesin e saj për të bërë pjesë dhe për të kontribuar në përpjekjet për forcimin e sigurisë së furnizimit me energji dhe zhvillimin e rrjeteve dhe infrastrukturave rajonale të energjisë.