Berisha u jep fund hamendjeve, emëron Ardian Turkun në postin e ministrit
Shuhen shpresat e Grupit të PD-së për ndryshime rrënjësore në qeveri. Presidenti Topi firmos dekretin për shkarkimin e ish-ministrit Pango
Eljona Ballhysa
Kryeministri Berisha u ka dhënë fund hamendjeve për emrin e ri të ministrit të Kulturës. Ai ka emëruar gjatë ditës së djeshme në postin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ardian Turkun, ish-kryetarin e Bashkisë së qytetit të Elbasanit. Vendimi i Berishës është marrë në një kohë rekord, pa mbushur 24 orë nga shkarkimi i ministrit Ylli Pango. Vendimi i kreut të Ekzekutivit ka shuar dhe shpresat e deputetëve të Grupit Parlamentar të PD-së për ndryshime rrënjësore në kabinetin qeveritar. Gjatë ditës së djeshme, edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka firmosur dekretin për shkarkimin e ish-ministrit Ylli Pango duke i hapur rrugë miratimit në këtë post të emrit të ri të propozuar nga kryeministri Berisha. Gjatë ditës së djeshme, kryeministri Berisha ka shtyrë për të dytën herë zhvillimin e mbledhjes së qeverisë. Mësohet se shkak për këtë është bërë pikërisht skandali i ish-ministrit Pango. Burimet zyrtare kanë bërë të ditur se mbledhja e Këshillit të Ministrave pritet të mbahet gjatë ditës së sotme.
Emërimi
Zëdhënësja për shtyp e kryeministrit Berisha, Juela Meçani, ka njoftuar gjatë një deklarate për shtyp emërimin e ministrit të ri të Kulturës. “Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, zoti Sali Berisha, propozon në postin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, zotin Ardian Turku. Zoti Ardian Turku, aktualisht është kryetar i Qarkut të Elbasanit, ish-kryetar i Bashkisë së Elbasanit, ish-zëvendësrektor i universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”. Ai mban titullin Profesor i Asociuar”, - është shprehur Meçani. Emërimi i Turkut është një emërim emergjent i kreut të qeverisë, i cili ka shmangur mbledhjen e strukturave të PD-së për vendimet e marra gjatë dy ditëve të fundit. Kryeministri Berisha nuk ka mbledhur Kryesinë e PD-së si në rastin e shkarkimit të ministrit Pango, ashtu edhe në rastin e emërimit të ministrit të ri. Burimet kanë bërë të ditur se vendimi i Berishës ka qenë që të mbyllet sa më parë ky skandal dhe të mos nxisë debate të mëtejshme brenda Grupit Parlamentar për këtë çështje, e cila përbën skandal për qeverinë dhe PD-në tre muaj para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.
Grupi i PD-së
Deputetë të Grupit Parlamentar të PD-së kishin mbajtur shpresat se me shkarkimin e Pangos, Berishës i krijohej mundësia për të bërë ndryshime rrënjësore në kabinetin qeveritar në mënyrë që të përmirësojë imazhin e qeverisë para zgjedhjeve. Kërkesën e ka bërë dje publike ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, ndërkohë që mbështetej edhe nga të tjerë deputetë të PD-së. Mustafaj u shpreh dje për mediat se është momenti që Berisha të reflektojë dhe të bëjë ndryshime rrënjësore në kabinetin qeveritar. “Do të doja të tërhiqja vëmendjen e kryeministrit në një pikë tjetër, duke përfituar nga e drejta kushtetuese që ka si kryetar i qeverisë, duke përfituar edhe nga e drejta që ka si kryetar i maxhorancës, unë mendoj se është një rast ku zoti Berisha duhet të bëjë një operacion të thellë në qeverinë e sotme, në mënyrë që të paraqesë para shqiptarëve ekipin me të cilin do të fitojë zgjedhjet dhe ekipin me të cilin do ta qeverisë Shqipërinë në 4 vitet e ardhshme”, - u shpreh Besnik Mustafaj.
6 Mars 2009