Pango rrezikon përjashtimin edhe si pedagog
Ylli Pango, ish-ministri i Kulturës, rrezikon edhe karrierën e tij akademike. Rektorët e universiteteve kanë marrë së bashku një vendim për përjashtimin e tij nga auditorët e universiteteve, ndërsa ky vendim pritet të finalizohet formalisht edhe në Gjykatë. Ylli Pango ka “avulluar” gjithë ditën e djeshme, ndërsa pasdite vonë disa të njohur të tij u shprehën se “Pango mund të ishte nisur jashtë shtetit”, pa dhënë më shumë detaje mbi aktivitetin e ish-ministrit që tashmë është në epiqendër të një skandali të paprecedent seksual në historinë e politikës shqiptare. Zhvillimet e 48 orëve të fundit duket se treguan se karriera ministrore e Ylli Pangos vlejti sa një video. Ai u shkarkua mbrëmjen e së mërkurës nga kryeministri Berisha fill pas transmetimit të pamjeve në emisionin “Fiks fare”. Pas transmetimit të pamjeve, Berisha i ka telefonuar ministrit të tij për t’i komunikuar paraprakisht shkarkimin, ndërsa ministri menjëherë i ka quajtur si “sajesa dhe montime të medias për ta diskredituar”. Por duket se kësaj here Berisha u ka besuar më tepër pamjeve televizive sesa zërit të ministrit të tij në telefon, duke mos i dhënë më asnjë shans të vazhdonte sqarimet. “Ylli, ato pamje bien ndesh me moralin e kësaj qeverie. Pamjet flisnin vetë dhe nuk ka vend për sqarime. Je i shkarkuar. Natën e mirë”, - mësohet t’i ketë thënë kryeministri Berisha Pangos jo më larg se 20 minuta pas përfundimit të emisionit “Fiks fare” në “Top Channel”. Vendimi i Berishës u shoqërua edhe me një deklaratë urgjente për shtyp të zëdhënëses së tij, Juela Meçani, e cila e komunikoi këtë vendim si një veprim të logjikshëm të kryeministrit ndaj një vartësi të tij, “morali dhe sjellja e të cilit në video binte ndesh me moralin e qeverisë”. Si Berisha, ashtu dhe Pango, e kishin siguruar informacionin që prej disa ditësh mbi transmetimin e këtyre pamjeve, ndërsa burime nga Kryeministria pohuan se të dy komunikonin gjithnjë e më rrallë ditët e fundit.
6 Mars 2009