E Diel, 1 Nëntor 2026

Pollo: “Qeveria do të rrisë fondin në ndihmë të tetraplegjikëve”



Gjatë seancës së djeshme parlamentare, nënkryetari i PSD-së, Ëngjell Bejtja, ngriti shqetësimin për mungesën e vëmendjes së qeverisë ndaj grevës së tetraplegjikëve. Ai kërkoi marrjen e masave në ndihmë të këtyre individëve në nevojë. Në përgjigje të Bejtjas, ka reaguar zëvendëskryeministri Genc Pollo, i cili bëri të ditur se shumë shpejt qeveria do të miratojë vendimin për rritjen e fondit në ndihmë të tetraplegjikëve. “Kjo qeveri ka rritur në mënyrë të veçantë buxhetin e tyre, në një masë që shkon afro 35 për qind, duke siguruar një paketë shoqëruese, karburantin për t'u transportuar me automjetin e tyre dhe pagesën për një kujdestare”, - është shprehur Pollo. Duke komentuar grevën e tyre, Pollo tha se qeveria ka dialoguar përgjatë gjithë kohës me ta dhe është diskutuar edhe në qeveri mbi paketën e re që do të ofrohet. “Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, e Shëndetësisë dhe Financave, do të përcaktojnë një raport për një normë më të lartë të kujdesit ndaj tyre dhe jam i sigurt që së shpejti do ta paraqesin në formën e një projektvendimi në Këshillin e Ministrave”, - është shprehur Pollo gjatë fjalës së tij në Kuvend. Greva e disa invalidëve dhe tetraplegjikëve në Tiranë ka hyrë sot në ditën e saj të katërt. Ata i kërkojnë qeverisë dhe institucioneve të tjera përgjegjëse realizimin e katër kërkesave që kanë të bëjnë me rritjen e pagesës për paketën higjieno-sanitare, të sasisë së karburantit që ata duhet të përfitojnë, si dhe për siguracione dhe pagë më të lartë për kujdestarët, personat që kujdesen për ta. Në vendin tonë numërohen rreth 2500 paraplegjikë dhe tetraplegjikë.

6 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›