E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pango “blen” shtëpi te Prokuroria, e padit dhe Çashku për shpifje



Kujtim Çashku ka paditur dje paradite në prokurori ish-ministrin e Kulturës, Ylli Pango, për shpifje. Çashku tha se i referohej deklaratave të Pangos në media në lidhje me akademinë e filmit “Marubi”. “Unë sapo dorëzova një akuzë në drejtim të ish-ministrit të Kulturës, Ylli Pango, lidhur me shpifjen që bëri ndaj personit tim. U kërkoj autoriteteve të shtetit sa më shpejt të stabilizojnë disa pika të tjera të peticionit. Shkolla është akoma me tela e rrethuar. Nuk kemi mundësi akoma për të futur studentët dhe pedagogët që të qarkullojnë me mjetet elektrike dhe pajisjet që kanë, kështu që kërkojmë të gjejmë zgjidhje sa më të shpejtë për të normalizuar të gjithë gjendjen, plus të marrë masa sa më të shpejta”, - u shpreh Çashku. Pretendimi për shpifje nga regjisori i referohej një momenti gjatë një debati televiziv të tri ditëve më parë me ish-ministrin Pango, ndërsa ky i fundit e akuzoi regjisorin si spiun të kolegëve të tij. Prej dy javësh, marrëdhëniet mes Çashkut dhe Pangos ishin acaruar në maksimum, ndërsa ish-ministri gjatë një konference për shtyp të pesë ditëve më parë ironizoi dhe hodhi poshtë pretendimet e Çashkut. “Kujtim Çashkut i është dhënë në përdorim pa shpërblim për 10 vjet një sipërfaqe prej 200 m2, për ngritjen dhe funksionimin e shkollës së lartë ‘Marubi’ për filmin dhe multimedian. Nga ana e kësaj shoqërie, që nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe deri tani janë përdorur jo vetëm 200 m2 të falura nga ish-kryeministri Fatos Nano, por e gjithë godina dhe sipërfaqja funksionale e saj, pra një sipërfaqe prej 1822 m2 nën objekt. Subjekti nuk ka paguar asnjëherë asnjë detyrim ndaj shtetit për periudhën e përdorimit të këtyre ambienteve nga data 4 shkurt 2005 deri më 1 shkurt 2009. Përveç kësaj, subjekti në fjalë ka uzurpuar edhe 2.924 m2 sipërfaqe jashtë godinës që kërkon t’i përdorë për interes privat”. Sipas ministrit Pango, asnjëherë nuk është penguar mbarëvajtja e shkollës dhe forcat e rendit nuk kanë ndërhyrë aspak për këtë, por i është kërkuar z. Çashku vetëm të shlyejë detyrimet ndaj shtetit për sipërfaqen 1475.6 m2, detyrim i cili kap shifrën e 41.316.800 lekëve dhe të largohet nga sipërfaqja e lirë e uzurpuar prej 2.924 m2”, - është shprehur rreth pesë ditë më parë, në daljen e tij të fundit për mediat si ministër, zoti Pango.

6 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›