Zgjedhësit mbledhin firmat për heqjen e imunitetit të Pangos
Pas ekzekutimit të urdhrit për heqje nga posti i ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, zoti Pango rrezikon edhe mandatin e tij. Burime për gazetën bëjnë të ditur se dje është ngritur një grup banorësh në Zonën Nr. 38, në kryeqytet, për të mbledhur firmat për heqjen e mandatit të deputetit Ylli Pango. Zgjedhësit i dhanë Pangos 44.5% të votave më 3 korrik 2008 kundrejt 42.91% që mori përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Anastas Angjeli. Kjo zonë përfshin Qytetin Studenti dhe rrethinat e tij, në Tiranë. Deputeti ka imunitet me Kushtetutë dhe mandati i tij është i pavlefshëm në këto raste: a) kur ai nuk bën betimin; b) kur heq dorë nga mandati; c) kur vërtetohet një nga kushtet e pazgjedhshmërisë ose papajtueshmërisë të parashikuara në
Nenet 69, 70 paragrafët 2 dhe 3; ç) kur mbaron mandati i Kuvendit; d) kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend; dh) kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi. Me Kushtetutë nuk përcaktohet se si mund të hiqet mandati i deputetit nga zgjedhësit. Deri tani nuk është bërë asnjë fushatë qytetare për heqjen e mandatit të një anëtari të Kuvendit që nga fillimi i zgjedhjeve parlamentare demokratike deri sot me përjashtim të rasteve kur mandati është hequr me propozimin e 10 deputetëve dhe me votimin e më shumë se gjysmës së deputetëve.
6 Mars 2009