Stefan Çipa: “Vendosja e militantëve në polici rrit kriminalitetin në vend”
Deputeti i Partisë Socialiste, Stefan Çipa, ka akuzuar Ministrinë e Brendshme për vendosjen e militantëve në polici dhe shkarkimin e specialistëve. Sipas Çipës, këto vendime janë cituar edhe në raportet e ndërkombëtarëve, të cilët vërejnë me shqetësim rritjen e kriminalitetit në Shqipëri. “OSBE-ja, në raportin përmbledhës të 2008-s, e ngre si shqetësim, ku citohet: “Në polici ka patur shumë raste, sidomos në fushën e emërimeve dhe largimeve, ku vendimet janë marrë nga instanca të larta politike”. Më tej vijon: ”Shuma të mëdha të parave të donatorëve janë shpenzuar për të trajnuar shumë zyrtarë të policisë, vetëm për të parë më pas se si këta persona janë larguar dhe janë zëvendësuar nga njerëz të rinj”. Po Departamenti Amerikan i Shtetit u tërhiqte vëmendjen në atë kohë, ku citonte: ”Mes viteve 2005-2006, pothuajse 90 % e shefave të pikave kryesore kufitare u transferuan ose u zëvendësuan. Në shumë raste, personeli i ri nuk kishte përvojë të mëparshme, kualifikimin e duhur apo një ide të qartë të funksionimit të kufirit”. Ju zotërinj nuk doni t’ia dini për këto paralajmërime. Ju e kishit paracaktuar masakrën dhe në zyrat e partisë suaj kishit bërë gati listat me emrat e mbi 3500 specialistëve që do të largonit, pasi nuk gëzonin besimin tuaj politik, për t’i zëvendësuar me militantët tuaj, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me policinë”, - është shprehur Çipa. Më tej, ai citoi raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për drogën ku Shqipëria citohet si vend tranzit i heroinës afgane që vjen nga Azia Qendrore me destinacion Europën Perëndimore. “Shqipëria për shkak të kufijve jo të menaxhuar mirë, mbetet vend tranzit për kalimin e drogave të tjera. Burimi më i madh i aktiviteteve kriminale në vend janë trafikimet, korrupsioni i zyrtarëve dhe mashtrimi. Shqipëria vazhdon të jetë një burim për trafikun e qenieve njerëzore. Shqipëria ka një infrastrukturë të dobët policore”, - është shprehur Çipa ndërsa i është referuar raportit të DASH-it.
6 Mars 2009