Berisha ultimatum ministrave: Stop shndërrimit të rrugëve në thertore
Tiranë- Kryeministri Berisha i dha ultimatum ministrave të kabinetit qeverisës që të ndalojnë prerjen dhe tregëtimin e mishit në rrugë. Në mbledhjen e sotme të qeverisë ai ka deklaruar se ligji do të godasë ashpër çdo vendor që shndërron rrugët në thertore.
Ka plas mishi rrugëve. Zoti Ministër i mjedisit në mënyrën më të prerë, në raste të tilla të veprojnë aktet normative me rreptësinë më të madhe. Nqs një kryetar bashkie apo komune shndërron rrugët e veta në thertore, atij t`i jepet fatura më e rëndë ligjore. Do të dalim nga mesjeta apo do rrimë? Autostradë modern, mish i varur në katër anët e saj. Zotërinj ministra keni përgjegjësitë tuaj, kjo nuk mund të tolerohet më,- deklaroi kreu i qeverisë.
Berisha theksoi se kjo duhet të kthehet në një prioritet, pasi ky fenomen rrezikon jetën e qytetarëve, sepse mish i tregtuar në rrugë është jashtë çdo standarti higjenik dhe sigurie. Ndërkohë që ka nxitur Institutin e Shëndetit Publik dhe Agjensia e Kontrollit Ushqimor të kryejnë kontrolle dhe të gjobisin këto subjekte.
Më tej numri një i qeverisë u ndal në krimet ndaj mjedisit, duke theksuar se ato janë krime të rënda në legjislacionin e këtij vendi, ndërkohë që u ka bërë thirrje inspertorëve të mjedisit të denoncojnë raste të dëmtimit të mjedisit.
Në mbledhjen e kaluar ne shkarkuam një kryetar komune se kishte shpërdoruar fondet publike, dhe kishim të drejtë po ato që qëndrojnë indiferent ndaj mega krimeve në mjedis? Janë të ngarkuara të merren me këtë problem të gjitha agjensitë e zbatimit të ligjit dhe autoriteti i qeverisë vendore, por nuk e zbatojnë. Ne do tu vëmë përgjegjësa dhe krimet ndaj mjedisit do të ndëshkohen rreptë. Inspektorët e mjedisit duhet të jenë të parët që të denoncojnë çdo qëndrim indifernt ndaj tyre,- ka thënë më tej Berisha.
Po ashtu Kryministri foli edhe për aksionet kundër zhurmave të ndërmarra në kryeqytet dhe në zonat bregdetare, ndërkohë që u ka bërë thirrje pronarëve të këtyre bizneseve të respektojnë qytetarët dhe të instalojnë mjete që nuk lejojnë përçimin e zhurmave në ambjent.
Matilda Alku/IDEA/