E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Nuk japim konsensus për ligjin e dosjeve dhe ligjin e prokurorisë

Nga L.Progni

Partia Socialiste nuk do të japë konsensusin e saj për ligjin e dosjeve dhe as për reformën në drejtësi.

Kryetarja e grupit parlamentar të PS, Valentina Leskaj, tha se ata janë për zbardhjen e së kaluarës, por jo për të ndërhyrë në punën e atyre që hetojnë korrupsionin qeveritar.

Edhe për sa i përket ligjit për prokurorinë, PS thotë se nuk do mbështesë një ligj që është kundër pavarësisë së këtij organi. “Kryeministri nuk duhet të ngatërrojë dosjen e spiunëve me dosjet e Gërdecit e të Lulzim Bashës.

Nuk mund të përdoret kali i një beteje morale si ajo me hijet e diktaturës komuniste për të shpëtuar të pandehurit e mazhorancës nga hetimi e gjykimi i drejtësisë.

Ne jemi gati të japim konsensus për të hedhur dritë mbi të shkuarën e të gjithë atyre që duan të merren me politikë, por jo për të mos lejuar që të merren me profesionin e tyre ata që po hetojnë për të hedhur dritë në gropat korrupsionit qeveritar”, - tha Leskaj.

“Ne jemi gati për të kontribuar e dhënë konsensus për një ligj të ri që forcon pavarësinë kushtetuese e financiare të prokurorisë, që rrit efektshmërinë e saj në hetimin e krimit e të korrupsionit, por kurrsesi për një ligj që e kufizon pavarësinë e organit të akuzës dhe prodhon trysni mbi prokurorët”, - vijoi më tej ajo.

LSI: Ligji për prokurorinë, i njëjti

Edhe Lëvizja Socialiste për Integrim është kundër ligjit për prokurorinë dhe ligjit për hapjen e dosjeve. “Varianti i ri nuk ka ndryshim nga ai i mëparshmi, i cili u kundërshtua nga LSI fuqishëm, por edhe vetë Prokuroria e Përgjithshme, komuniteti i gjerë i juristëve, i specialistëve të EURALIUS, OBDATI, si dhe direkt nga përfaqësuesit e ambasadës amerikane.

Siç kemi vënë në dukje, ky ligj prek rëndë pavarësinë e organit të Prokurorisë, prek dhe cenon mbrojtjen e prokurorëve, i lë ata në mëshirën e politikës hakmarrëse të mazhorancës, dhe të delinkuentëve të krimit të rrugës, prek strukturat vendimmarrëse të Prokurorisë së Përgjithshme, eliminon rolin e Presidentit, nëpërmjet suprimimit të përfaqësuesit të tij në Këshillin e Prokurorisë etj”, - tha anëtari i Kryesisë së LSI, Spartak Braho.

“Dy ministra tashmë janë ulur në bankën e të pandehurve, të tjerë po hetohen. Ngadalë i gjithë kabineti “Berisha” dhe vetë ky i fundit në prag të zgjedhjeve të ardhshme politike po e mbyllin epokën e qeverisjes si mega-vjedhësit e shekullit. Atëherë, zgjedhja, sipas tij, është se duhet t'i ndalet dora prokurorisë, të trembet ajo dhe të goditen veprimet hetimore që po kryhen. Berishës me këtë ligj i duhet një prokurori e nënshtruar, e bindur dhe e përulur ndaj ekzekutivit. Berishës i duhet ta trembë Ina Ramën dhe ndihmësit e saj, të angazhuar në hetimin e një sërë aferash korruptive”, - vijoi Braho.

“Ligji për dosjet apo, siç ka hyrë në zhargonin e ditës, ligji i spiunëve, i sjellë papritur dje, duke shmangur ligje të tjera më të rëndësishme, është ligj që drejtohet kundër prokurorëve aktualë, të cilët, me përvojën e tyre dhe me praninë e tyre në hetimin e mjaft proceseve të rëndësishme janë prezent. Nuk dua të përmend emra, por ligji i dosjeve, ligji i spiunëve, është një ligj që ekskluzivisht është bërë që të trembë prokurorët me përvojë.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›