Xhejms Belushi viziton tokën e të parëve

Në fshatin Qytezë të Korçës dje kishte festë. Bujti aty Xhejmsi me gjak qytezar, i cili u shqiptarizua për pak orë, duke praktikuar ngritjen e dollive njëra pas tjetrës, madje duke hipur edhe mbi tavolinë
Aktori i madh hollivudian Xhejms Belushi ka mbërritur në tokën e të parëve të tij, në juglindje të Shqipërisë, në orën 9:00 të mëngjesit së të mërkurës, me një helikopter të vënë në dispozicion nga Presidenti i Republikës, Topi, i cili një natë më parë e ka nderuar me titullin e lartë “Nderi i Kombit”. Qyteza ka qenë fshati ku ka lindur babai i tij, ndërsa mes një pritjeje madhështore që i kanë rezervuar qytezakët, bashkëfshatarë të tij, si dhe drejtuesit lokalë të Korçës nga prefektja Elfrida Zefi, kryetari i qarkut, Ilo Milo etj., ai ka qëndruar afro dy orë, teksa ishte shoqëruar nga vëllai i tij i vogël. Emocione, përjetime të bukura dhe prekja e tokës ku ka lindur babai i tij, ka qenë gjithçka që e ka sjellë aktorin e famshëm në këtë fshat të Devollit të Sipërm, i njohur për emigracionin drejt SHBA-ve, por edhe të traditave të hershme të tij. Rruga që të çon në fshatin Qytezë është e vështirë, ndërkohë që me dhjetëra banorë të saj të larguar prej vitesh aty, kishin zbarkuar enkas të takonin njeriun e tyre. Belushi ka prekur gati çdo pëllëmbë të fshatit, duke përshkruar rrugët e tij, ndërsa është ndalur aty ku dikur ka qenë shtëpia e të parëve të tij, e cila ishte kthyer në një rrënojë, ndonëse themelet e saj ekzistojnë ende. Gjithçka nga fshati ku ka lindur babai i tij i larguar që në moshë të vogël drejt emigrimit e ka ekzaltuar, e gjithashtu është mrekulluar nga ajri i patër, rrugët e kalldrëmta dhe gjithçka që kishte aromë Qyteze. Belushi është ndalur edhe në varrezën e vogël të këtij fshati, ku prehen me dhjetëra të afërm të tij. Në oborrin e kishës së “Shën-Thanasit”, bashkëfshatarët kanë vendosur të shtrojnë dhe një drekë, duke ngritur dolli me raki për djalin e tyre të dashur, por dhe duke i ofruar lakrorin e shijshëm me dy petë, të cilin natyrisht Belushi e ka shijuar të gjithin bashkë me mishin e pjekur dhe gjithçka tradicionale të gatuar posaçërisht për të. Në ato pak fjalë që ka preferuar të japë për gazetarët, ka pohuar se ndihej krenar që ishte shqiptar, ndërsa është larguar duke iu premtuar qytezakëve, se Belushi do të jetë sërish në atdheun e tij. Sipas tij, qenia në Qytezë e ka një domethënie. Ai ka theksuar se e mbart me vete kudo ku ndodhet qenien e tij si shqiptar, madje ka tentuar të flasë edhe shqip, me ato pak fjalë që i kishte mësuar babai i tij, i cili nuk jeton më. Xhejms Belushi ka dashur të depërtojë gati në gjithçka në Qytezë, por s’ka harruar të përshëndetet me të gjithë bashkëfshatarët e tij, që i thoshin fillimisht mbiemrin e tyre për t’u identifikuar. E natyrisht ai ka takuar edhe njerëzit e gjakut, kushërinj të shumtë, duke u ndjerë në çdo moment i rrethuar nga malli dhe dashuria. Më e veçanta e kësaj vizite disaorëshe ishte një dolli me vëllanë e tij, si një përshpirtje për atin e vdekur larg në Amerikë, si për t’i thënë se e kishin përherë në zemër dhe se gjendeshin në themelet e shtëpisë së tij. Këtë moment me nga një gotë të vogël rakie, dy vëllezërit kanë preferuar ta ndajnë vetëm në intimitet, madje duke iu kërkuar leje të gjithëve të mbanin qetësi, ndërsa mesa duket ky ka qenë edhe betimi që i kishin bërë babait të tyre para se ai të largohej nga kjo botë. E përmes thjeshtësisë dhe sportivitetit të një aktori, Belushi nuk ka harruar të ngrejë dolli, madje të hipë mbi një stol në drekën për nder të tij në natyrë dhe të përshëndetet shqiptarçe me një gotë raki, duke premtuar se do të ishte sërish në shtëpinë e tij.