Berisha uron Presidentin Obama
Kryeministri Sali Berisha uroi Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, me rastin e Ditës së Pavarësisë. Në letrën e tij drejtuar Presidentit, Kryeministri shqiptar shprehet se "ndihemi të lumtur që marrëdhëniet dhe lidhjet ndërmjet dy vendeve e popujve tanë miq kanë njohur vetëm zhvillime pozitive dhe janë më të mira se kurrë". Më tej Berisha shkruan në letrën e tij se, mbështetja e SHBA-ve për anëtarësimin në NATO përbën një demonstrim për marrëdhëniet mes dy vendeve. "Me këtë rast, më lejoni t'ju siguroj për vendosmërinë e palëkundur dhe për vullnetin e plotë të Qeverisë shqiptare, për ta zhvilluar më tej këtë bashkëpunim e partneritet në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, si dhe në të mirë të paqes, të stabilitetit e të përparimit kudo në botë. Po ashtu, gjej rastin të ripohoj vendosmërinë e palëkundshme të Shqipërisë për të vazhduar të kontribuojë në luftën globale kundër terrorizmit", thuhet në letrën e Kryeministrit Berisha.