Holanda, e uritur për titullin kampion
Bert van Marvijk nuk është trajneri me profilin më të lartë në “Afrika e Jugut 2010”, por deri tani ai ka arritur atë që shumë trajnerë të famshëm holandezë kanë dështuar. Ai e çoi Holandën në gjysmëfinale të Kupës së Botës. Vetëm një shkëndijë me Robin van Persin në rastin kur sulmuesi i Arsenalit u zëvendësua. Gjithsesi, te ekipi holandez që do të përballet me Uruguain të martën besojnë se do të shkruajnë një faqe tjetër të re. Kapiteni Xhovani van Bornkhort foli për “uri” dhe “besim”, ndërkohë që mbrojtësi i Evertonit, Xhon Heitinga tha: “Nëse ju doni të fitoni një titull gjëja më e rëndësishme që ju të jeni një ekip dhe të luftoni për njëri-tjetrin. Nuk ka rëndësi nëse dikush bën një gabim, ju duhet të mbulonin shpinën e tij. Ju duhet ta flakni egon tuaj tutje”. Kjo frymë është shfaqur te ekipi holandez në të gjitha ndeshjet e këtij Botërori e që i ka fituat të pesë ndeshjet në Afrikën e Jugut, përfshirë edhe rikuperimin e madh pas një goli të pësuar në fitoren 2-1 kundër Brazilit në çerekfinale. Të dyja golat u shënuan nga Uesli Shnajder, i dyti me një goditje fine me kokë. Por, ai nuk është i vetmi holandez që ka përdorur kokën e tij në këtë Kupë Bote. Megjithë të qenit një ekip me histori në përplasjet e profilit të lartë, Van Marvijk, duket se i ka bindur yjet e tij më të mëdhenj të lënë mënjanë plagët e tyre. Kjo nuk është një temë e lehtë bisede, veçanërisht kur Shnajder dhe Van Persi, aktualisht dy lojtarët më me influencë, vijnë në këtë kompeticion pas dy vitesh grindjes. Incidenti daton në Euro 2008-n, kur Holanda u eliminua në kohën shtesë 3-1 nga Rusia, dhe ka të bëjë me çështjen se kush do t’i ekzekutonte goditjet e lira. Van Marvijk, 57-vjeçari, i cili fitoi Kupën UEFA me Fejenordin në vitin 2002, e ka treguar veten si një mjeshtër i pragmatizmit. Nën mbretërimin e tij, Mark van Bomeli, u rifut në skuadër pasi ishte vetëpërjashtuar në kohën kur trajner ishte Marko van Basten. Në fakt, e vetmja çështje e bujshme ishte kur Van Marvijk dënoi lojtarët e tij për postimin e mesazheve në rrjetin social “Twitter”. Nëse Van Persi ofron goditje të fuqishme dhe Arjen Roben prekjen e pagabueshme të topit, Shnajder është orkestruesi i madh. Ai është krijues, një pasues suprem dhe është plot besim pasi frymëzoi Interin në fitimin e Serisë dhe lavdinë e zikaltërve në Ligën e Kampioneve. Më e rëndësishmja, Shnajder, njeriu që ka shënuar katër nga nëntë golat e Holandës në këtë Kupë Bote, është akoma në turne, kur emra të tillë të mëdhenj, si Kristiano Ronaldo, Uejni Runi dhe Lionel Mesi nuk lanë thuajse gjurmë. Holanda krijoi futbollin total në vitin 1974, ku humbi me Gjermaninë dhe katër vjetë më pas humbi me Argjentinën, ndërkohë që tani është koha për triumf.
Heitinga, “pullë poste” Diego Forlanit
Mbrojtësi holandez, Xhon Heitinga, do të jetë edhe lojtari që do të ngarkohet me neutralizimin e sulmuesit më të fuqishëm uruguaian, Diego Forlan, aktualisht te Atletiko e Madridit. 26-vjeçari do të luajë ndeshjen e tij të 60-të me Holandën. “Forlan është një lojtar shumë i mirë, - tha Heitinga, i cili ka luajtur një sezon me Atletikon e Madridit përpara se të transferohej te Evertoni. Të dy kanë mbetur miq të mirë. “Kam qenë në kontakt me të, qysh kur lashë Atletikon. Sapo e mora vesh që dy vendet tona do të luajnë kundër njëri-tjetrit i dërgova një mesazh ish-shokut tim të klubit. Mesazhi im? Do të jetë një ndeshje ferri për ty Diego!”.
Tabarez: “Holanda e fortë, por jo e pathyeshme”
Shumë pak tifozë do ta kishin parashikuar se Uruguai do të ishte ekipi i fundit nga Amerika Jugore në Afrikën e Jugut. Ndërkohë që gjigantë të tillë si Brazili dhe Argjentina janë kthyer në shtëpi, trajneri i Uruguait, Oskar Tabarez, është duke përgatitur skuadrën e tij për ndeshjen kundër Holandës, e që në rast kualifikimi do të thoshte kalimi në finalen e një Kupe Botë pas 60 vjetësh. Për herë të fundit në gjysmëfinale Uruguai ka qenë para 40 vjetësh dhe “El Maestro” (nofka e trajnerit Tabarez), njeriu që ka drejtuar 10 klube futbolli, përfshirë Milanin dhe Boka Zhunjors, ka bindjen e tij se lojtarët e tij do t’ia dalin kundër një Holande virtuoze dhe me potencial të jashtëzakonshëm. Uruguai e ka fituar Kampionatin Botëror në vitin 1930 dhe 1950, por Tabarez ka filluar të besojë në një mrekulli. “Unë preferoj të mos krahasohemi me formacionet ekipeve nga viti 1930 deri në vitin 1950, por ne kemi një shans për t’i arritur ato. Holanda do të jetë e vështirë, por jo e pamundur. Kjo gjeneratë është pak ndryshe nga Holanda tradicionale, është më e balancuar. Unë mendoj se ne i kemi treguar qartë kapacitetin tonë. Kemi shumë futbollistë të mirë në grup dhe 20 lojtarë nga 23 të tillë që ka skuadra kanë luajtur”, - përfundoi trajneri 64-vjeçar.
6 Korrik 2010