E Diel, 1 Nëntor 2026

Holandë-Uruguai, sot finalisti i parë

Uruguaianët e kanë fituar dy herë kampionatin botëror: 1930 dhe 1954. Holandezët kanë humbur dy finalet e diskutuara: në vitin 1974 dhe 1978

Holanda kaloi “një mur të lartë” si Brazili, pesë herë kampion i botës (rekord) në çerekfinalet e Botërorit dhe tashmë synon të “heqë qafe” edhe Uruguain, dy herë kampon i botës, për të mbërritur për herë të tretë në finalet e një Botërori, pavarësisht se nuk e kanë fituar asnjëherë atë: në vitin 1974 humbën me Gjermaninë (2-1) në Munih, ndërsa në vitin 1978 me Argjentinën (3-1) në Buenos Aires. Në fakt, për herë të fundit në gjysmëfinale, Holanda ka qenë në Botërorin e Francës (1998) por atëherë “tulipanët” u eliminuan nga Brazili (në finale humbi 3-0 me Francën). Uruguai nga ana e tij e ka fituar dy herë kampionatin botëror, në vitin 1930 të zhvilluar në vendin e tij, njëherësh edhe Botërori i parë, si dhe në vitin 1950 të organizuar në Brazil, ndërkohë që për herë të fundit në gjysmëfinale ka qenë në Botërorin e vitit. Holanda është shfaqur me një vizion të qartë dhe me një sistem shumë të përcaktuar: 4-5-1, ku çdo lojtar e di vendin e tij, qoftë në fushë apo në bankinë. “Portokallinjtë” kanë një nga mesfushat me të kompletuara, me krijues të tillë si Uesli Shnajder, Arjen Roben, Rafael van der Vart, por dhe me shkatërrues të fuqishëm si Mark van Bomel dhe Nigel De Jong. Fantazisti i Interit, Uesli Shnajder, një nga kandidatët potencialë për të fituar “Topin e artë” (tre trofe me Interin, përfshirë dhe Ligën Kampioneve), është në një formë të jashtëzakonshme në këtë Botëror: katër gola, dy prej të cilëve në fitoren madhështore kundër Brazilit. Një tjetër “letër e madhe” në formacionin holandez është Mark van Bomel, një kontrollues i fuqishëm i mesfushës, por dhe një ndërmarrës i aksioneve sulmuese. Trajneri i Holandës, Bert van Marvijk: “Kemi parë shumë ndeshje të Uruguait dhe njohim disa lojtarë të tyre. Do të jetë një ndeshje shumë e rrezikshme. Euforia te ne është shumë e madhe, por kundër Uruguait nuk do të jetë aspak e thjeshtë”. Holanda nuk humbet një ndeshje qysh nga shtatori i vitit 2008, duke pasur një seri prej 24 takimesh pozitive, ndërkohë që në Botëror është e vetmja skuadër pa humbje, ashtu si rivali i tij në gjysmëfinale, Uruguai, por me ndryshimi e vetëm, se nëse holandezët e Bert van Marvijk i kanë fituar të pesë takimet që kanë pasur në dispozicion, uruguaianët kanë fituar 3 dhe kanë barazuar 2, e këtu futet edhe fitorja me penallti kundër Ganës në çerekfinale. Trajneri i Uruguait, Oskar Tabarez: “Holanda do të jetë një kundërshtar shumë i fortë për ne, por nuk është e pamundur. Nuk ka humbur asnjë ndeshje nga shtatori i vitit 2008. Është një skuadër e balancuar dhe luan një futboll tërheqës”. Ylli i Uruguait, Diego Forlan, do të jetë në dispozicion të trajnerit, Oskar Tabarez, por do të mungojë sulmuesi Luis Suarez, ky i fundit u ndëshkua me karton të kuq, pasi ndaloi një top me dorë pikërisht çastin e fundit të 120 minutave lojë të rregullt dhe shtesa, duke ndihmuar që skuadra e tij të mbërrijë në gjysmëfinale pas gjuajtjeve të penalltive. Suarez luan në Holandë me Ajaksin dhe është një njohës i mirë i futbollit “portokalli”.

TRAJNERËT

Bert van Marvijk

Trajneri i Holandës, Bert van Marvijk: “Kemi parë shumë ndeshje të Uruguait dhe njohim disa lojtarë të tyre. Do të jetë një ndeshje shumë e rrezikshme. Euforia te ne është shumë e madhe, por kundër Uruguait nuk do të jetë aspak e thjeshtë”.

Oskar Tabarez

Trajneri i Uruguait, Oskar Tabarez: “Holanda do të jetë një kundërshtar shumë i fortë për ne, por nuk është e pamundur. Nuk ka humbur asnjë ndeshje nga shtatori i vitit 2008. Është një skuadër e balancuar dhe luan një futboll tërheqës”.

KONTRASTI

Uruguai, dy herë kampion e botës
Uruguai e ka fituar dy herë kampionatin botëror, në vitin 1930 të zhvilluar në vendin e tij, njëherësh edhe Botërori i parë, si dhe në vitin 1950 të organizuar në Brazil.

Holanda, dy herë nënkampione e botës
Holandezët nuk e kanë fituar asnjëherë titullin kampion edhe pse kanë dalë dy herë rresht në finale: në vitin 1974 humbën me Gjermaninë, ndërsa në vitin 1978 me Argjentinën.

HOLANDA
Trajner: Bert van Marvijk
Kapiten: Xhovani van Bronkhorst
Lojtari kyç: Uesli Shnajder
Top-golashënuesi: Uesli Shnajder (4)
Pjesëmarrje: 9 herë
Nënkampione: 1974, 1978

Ndeshjet e Botërorit
Faza e grupeve
Holandë-Danimarkë 2-0
Holandë-Japoni 1-0
Kamerun-Holandë 1-2

Një të tetat
Holandë-Sllovaki 2-1

Çerekfinale
Holandë-Brazil 2-1

URUGUAI
Trajner: Oskar Tabarez
Kapiten: Diego Lugano
Lojtari kyç: Diego Forlan
Top-golashënuesi: Diego Forlan (3), Luis Suarez (3)
Pjesëmarrje: 11 herë
Kampione: 1930, 1950

Ndeshjet e Botërorit
Faza e grupeve
Uruguai-Francë 0-0
Afrika e Jugut-Uruguai 0-3
Meksikë-Uruguai 0-1

Një të tetat
Uruguai-Koreja e Jugut 2-1

Çerekfinale
Uruguai-Ganë 1-1 (4-2, p)

Shpërblimet

15 milionë euro
Katër skuadrat gjysmëfinaliste, Gjermania, Holanda, Spanja dhe Uruguai do të përfitojnë nga FIFA nga 15 milionë euro për sukseset e tyre deri tani.

25 milionë euro
Kampionia e Botës do të përfitojë 25 milionë euro nga FIFA. Nënkampionia, 20 milionë euro, vendi i tretë 16 milionë euro dhe ai katërt, 14 milionë euro.

335 milionë euro
FIFA do të shpërndajë në total 335 milionë euro për 32 skuadrat pjesëmarrëse në Botërorin e Afrikës së Jugut Në “Gjermani 2006” u shpërndanë 208 milionë euro.

6 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›