Droga, “diplomati” ekstradim në SHBA
Fatos Mahmutaj
Almir Rrapo, "diplomati" shqiptar i arrestuar mëngjesin e së premtes brenda Ambasadës Amerikane ka dalë dje para gjyqtarit të gatshëm në Gjykatën e Tiranës, ku nisi fillimin e procedurave për ekstradimin e tij në Amerikë. Seanca në ngarkim të tij u zhvillua në orën 11:00 të mesditës së djeshme, ku gjyqtari i gatshëm i kësaj jave, Agim Bendo dëgjoi kërkesën e prokurorit kryeqytetas Petrit Fusha, për ekstradimin e 27-vjeçarit Almir Rrapo drejt SHBA-së, ku kërkohej nën akuzën e posedimit të narkotikëve. Organi i prokurorisë pohoi se 27- vjeçari ishte prangosur paraditen e së premtes sapo ishte paraqitur në Ambasadën Amerikane për t'u intervistuar pasi kishte aplikuar për një vizë turistike. Në formularin e aplikimit ai kishte shënuar gjenealitetet e plota, ndërsa kishte dorëzuar edhe foto të vetat. Ndërkohë autoritetet e ambasadës pas verifikimeve kanë nxjerrë se 27- vjeçari shqiptar gjatë kohës që kishte jetuar në qytetin Ridgewood të shtetit të Nju Jorkut kishte pasur probleme me autoritetet policore dhe të drejtësisë pasi akuzohej se ishte përfshirë në veprimtari të paligjshme në fushën e posedimit të narkotikëve. Në këtë qytet familja Rrapo ishte vendosur shumë vite më parë, ndërkohë Almiri, tashmë 27 vjeç kishte përfunduar studimet aty. Pas përfundimit të shkollës ai ishte kthyer në Shqipëri ku pak kohë më parë kishte nisur të punonte në Ministrinë e Jashtme në stafin teknik të institucionit. Mësohet se ai ishte larguar nga SHBA pikërisht si pasojë e problemeve që kishte pasur në këtë vend, ndërsa duke qëndruar për disa kohë në Shqipëri kishte menduar se me kalimin e kohës këto probleme ishin parashkruar. Nisur nga ky fakt,ai ka aplikuar për vizë turistike në Ambasadën Amerikane me mendimin për të vizituar të afrimit që ndodhen aktualisht atje. Menjëherë sapo janë vënë në dijeni të pranisë brenda ambasadës të personit që kërkohej në SHBA autoritetet e këtij institucioni kanë njoftuar policinë, e cila ka bërë shoqërimin e tij në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Aty "diplomatit" i është nënshtruar një seance pyetjesh nga agjentët e Interpol-Tiranës, të cilët kanë kryer procedurat e para për ndalimin e tij. Pas kësaj dokumentet në ngarkim të tij janë përcjellë në prokurori, ku dhe autoriteteve amerikane u është kërkuar depozitimi i dokumenteve të nevojshme për ekstradimin e tij në SHBA. Me seancën e djeshme Gjykata e Tiranës i hapi rrugë procedurave të ekstradimit, ndërsa sipas ligjeve në fuqi pritet që shkëmbimi i informacioneve dhe dokumenteve të nevojshme për këtë procedurë të zhvillohet nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë me anë të letër-porosive. Paraprakisht mësohet se Rrapo ka mbajtur qëndrim mohues përballë akuzës, ndërsa mbërritja e letër-porosive nga SHBA pritet të zbardhë veç tjerash me detaje edhe veprat penale për të cilat ai akuzohet. Sipas ligjeve në fuqi, koha, gjatë të cilës autoritet e drejtësisë duhet të përgatisin procedurat për ekstradimin e Rrapos është 40 ditë. Gjatë kësaj mes dy vendeve duhet të shkëmbehet informacioni i nevojshëm, ndërsa më pas çështja duhet të dërgohet në gjyq.
Rrapo është arsimuar në SHBA
TIRANE - Almir Rrapo, aktualisht 27 vjeç mësohet se ka jetuar për shumë kohë familjarisht në SHBA. Familja e tij ka jetuar në qytetin Ridgewood të Nju Jorkut, ku i riu shqiptar ka ndjekur edhe studimet, pas përfundimit të të cilave është kthyer në Shqipëri ku ka nisur punë në Ministrinë e Punëve të Jashtme në stafin teknik të këtij institucioni. Pikërisht shkolla e përfunduar në SHBA dhe CV e tij e pasur përsa i përket kualifikimeve dhe arsimimit ka qene arsyeja kryesore që i ka hapur rrugën për tu punësuar në Ministri. Ndërkohë që institucionet shqiptare nuk kanë pasur asnjë informacion rreth të kaluarës së tij në SHBA dhe problemeve që ai kishte pasur me drejtësinë në këtë vend. Po kështu, mësohet se ai vetë, pas prangosjes në mjediset e Ambasadës amerikane nuk ka pranuar asnjë akuzë, të pretenduar nga drejtësia e SHBA. Tashmë pritet që nëpërmjet letër-porosive të zbardhen problemet që ka pasur ai në shtetin e Nju Jorkut ku ka jetuar për disa vite. f.m
Lutaj: LSI heshti për ngjarjen
PS: Ministria e Jashtme,çerdhe e korrupsionit
Partia Socialiste akuzoi dje ministrin e Jashtëm, njëherësh edhe zv.kryem-inistër, Ilir Meta se e ka kthyer dikasterin që drejton në çerdhe të korrupsionit. Qëndrimi i PS-së erdhi pas arrestimit të një zyrtari të kësaj ministrie në Ambasadën Amerikane në Tiranë. "Si mundet Ilir Meta të punësojë dhe të paguajë me paratë e taksapaguesve njerëz të përfshirë në trafiqe? Si mundet ta kthejë Ilir Meta Ministrinë e Jashtme në një çerdhe korrupsioni dhe trafiku që ia nxin përditë e më shumë faqen Shqipërisë dhe imazhit të saj?", tha deputeti i selisë rozë, Pirro Lutaj. "është e turpshme që zyrtarë të partisë së Ilir Metës vazhdojnë të flasin për reformën zgjedhore edhe në kushtet e mungesës së plot-ë të transparencës e zbatimit të ligjit, por nuk thonë asnjë fjalë për ngjarjen e rën-dë të ndodhur mu në ministrinë që drejton Ilir Meta. Një tjetër zyrtar i lartë i Ministrisë së Jashtme është arrestuar teksa aplikonte për vizë amerikane, nën akuzën e trafikut të drogës", vijoi më tej deputeti i PS.
Reagon Ministria e Jashtme
“Rrapo u punësua sipas ligjit, tani e shkarkuam”
Ministria e Jashtme reagoi dje nëpërmjet Drejtorisë së Burimeve Njerëzore lidhur me arrestimin e punonjësit të kësaj ministrie, Almir Rrapo. Në një deklaratë për mediat, drejtori i kësaj drejtorie, Krenar Mema, tha se "shtetasi Almir Rrapo është punësuar në MPJ, në sektorët e stafit teknik, në përputhje me të gjitha rregullat dhe normat ligjore në fuqi që kodifikojnë marrjen në punë të punonjësve në administratën publike. Drejtoria e Burimeve Njerëzorë sqaron se i sipërpërmenduri nuk ka qenë asnjëherë anëtar i Shërbimit Diplomatik". Sipas ministrisë, "paraprakisht janë kryer të gjitha verifikimet e nevo-jshme që ligji imponon në raste të tilla dhe nuk ka rezultuar që në adresë të tij të ketë të dhëna apo konseguenca ligjore që të pengonin marrjen në punë. Pasi Dr-ejtoria e Burimeve Njerëzore ka marrë dijeni për ndalimin e shtetasit Almir Rrapo, ka kryer të gjitha veprimet ligjore dhe administrative për lirimin e tij nga detyra në funksion të veprimit të institucioneve të zbatimit të ligjit".