Kandidatët për krerë të PS-së në rrethe do të votohen në mënyrë të fshehtë
seksione
Eneida Jaçaj
Pretendentët për postet e krerëve të Partisë Socialiste në rrethe do të përzgjidhen me votim të fshehtë, sipas parimit “një anëtar, një votë”. Sipas burimeve në PS, janë dy seksione që po bëjnë verifikimin e figurave të kandidatëve për postin e krerëve të rrethit. Ndërsa Kryesia e Partisë Socialiste, e cila pritet të mblidhet shumë shpejt, do të miratojë kandidaturat për 36 krerët e partisë në rrethe. Por nuk dihet se sa do të zgjasë procesi i përzgjedhjes së kandidaturave për krerët e rretheve. Kryetari i partisë së rrethit zgjidhet me votim të fshehtë nga mbledhja e zgjeruar e asamblesë së rrethit, e cila mblidhet një herë në 4 vjet.
Kandidaturat
Deputetët e Partisë Socialiste, të cilët janë ndarë në dy seksione po shqyrtojnë listat e kandidatëve të ardhura nga rrethet e tyre. Zyrtarët e lartë socialistë, sipas qarqeve,do të japin opinionin e tyre për të propozuarit që kërkojnë të bëhen kryetarë rrethesh. Në veçanti, zyrtarët e lartë socialistë po analizojnë kontributet që ata kanë dhënë për partinë dhe angazhimin në bazën e Partisë Socialiste. Procesi i studimit të këtyre kandidaturave po kryhet përpara se ata të kalojnë në votimin përfundimtar nga Kryesia e Partisë Socialiste.
Kompetencat
Me ndryshimet e reja statusore, krerët e rretheve marrin kompetenca më të gjera. Rrjedhimisht, sipas dokumentit themeltar të Partisë Socialiste, me zgjedhjen e tyre si kryetar rrethi, individi është automatikisht anëtar i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. Kjo do të sjellë që në Asamblenë Kombëtare të ketë 36 anëtarë të rinj dhe rinovimin në këtë parti me njerëz të ardhur nga vota e anëtarësisë. Me miratimin e drejtuesve socialistë të rretheve do të vijohet edhe me zgjerimin e asambleve socialiste të rretheve, që është organi më i lartë vendimmarrës i partisë në rreth.
STATUTI
Neni 19
Kryetari i Partisë i Rrethit
1. Kandidaturat për kryetar të partisë propozohen nga AS të njësive vendore të rrethit dhe miratohen nga Kryesia e PSSH.
2. Kryetari i partisë i rrethit zgjidhet me votim të fshehtë nga mbledhja e zgjeruar e AS të rrethit. Në përbërje të mbledhjes së zgjeruar të AS të rrethit bëjnë pjesë përfaqësuesit sipas pikës 2, neni 18 dhe kryetarët e OS të rrethit. Mbledhja e zgjeruar e AS të rrethit, si rregull, mblidhet një herë në 4 vjet.
3. Kryetari i Partisë së rrethit është anëtar i AK të PSSH.
4. Kryetari i Partisë i rrethit drejton e koordinon veprimtarinë politike, organizative dhe elektorale të AS të rrethit dhe ndjek veprimtarinë e përditshme të AS të njësive vendore të rrethit.
Meta i kundërpërgjigjet PS-së: “Do të dorëhiqem pas tre vjetësh”
Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, i është përgjigjur kërkesës së Partisë Socialiste për dorëheqjen e tij nga ky post, se kjo do të ndodhë vetëm pas afatit kushtetues, pra pas tre vitesh. Reagimi i ministrit Meta ka ardhur pas kërkesës së Partisë Socialiste për dorëheqjen e tij nga posti i ministrit të Jashtëm për shkak të arrestimi të ish-punonjësit të tij për trafik droge. Meta deklaroi se arrestimi i tij dëshmon në mënyrë të qartë tolerancën zero të maxhorancës qeverisëse në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, luftë në të cilën nuk kursehet askush. Kryediplomati shqiptar përgëzoi në këtë kontekst forcat e specializuara të antitrafikut jo vetëm për zbatimin e ligjit, por edhe për bashkëpunimin me partnerët amerikanë, që rishtas konfirmojnë luftën e pandalshme dhe tolerancën zero ndaj korrupsionit që nuk kursen askënd, sikundër ishte edhe rasti i zyrtarit të ministrisë. “Përgëzoj organet e Policisë dhe të bashkëpunimit të tyre me organet e tjera ndërkombëtare. Arrestimi, konfirmon tolerancën zero kundër korrupsionit dhe se nuk do të kursehet askush, qoftë sekretar teknik apo përfaqësues i qeverisë”, - tha Meta gjatë një prononcimi për mediat. Duke iu përgjigjur kërkesës së PS-së, të bërë publike dje nga deputetit socialist Taulant Balla për të dhënë dorëheqjen, Meta tha se dorëheqjen do ta japë pas tre vjetësh. “Dorëheqjen do ta japim kur të mbarojë afati i përcaktuar me Kushtetutë. I bie dhe tre vite të tjera”, - është shprehur Meta.
Bogdani: “Rama është përgjegjës për mungesën e një plani rregullues për Tiranën”
Deputeti i Partisë Demokratike, Gert Bogdani, akuzoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, si përgjegjësin e mungesës së një plani rregullues për Tiranën. Deputeti Bogdani ka evidentuar në këtë kontekst praktikën e ndërtimit në qytetin e Tiranës, që në mungesë të planit të përgjithshëm rregullues, përveç zhvillimit kaotik të kryeqytetit, ka sjellë edhe një zhvlerësim të heshtur të pronës së qytetarëve të Tiranës. Sipas deputetit demokrat, zhvlerësimi ka ndodhur në disa mënyra. Sipas Bogdanit, ndërtimi i pallateve në një zonë të caktuar, jo si pjesë e një plani të përgjithshëm, ka krijuar një situatë kur shumë qytetarëve të vjetër e kanë të vështirë të zhvillojnë pronën e tyre. Bogdani theksoi se ndërtimi pa plan urbanistik ka bërë që qytetarët, edhe kur kanë blerë hyrje të shtrenjta, mbas disa vitesh përpara dritares apo ballkonit të tyre është ndërtuar një pallat i ri. Një tjetër të keqe që ka sjellë ndërtimi i pallateve pa plan të përgjithshëm rregullues është se mungesa e tij, ka sjellë mungesën e ambienteve të gjelbra, këndeve të lojërave për fëmijët, si dhe mjediseve të tjera publike në shërbim të një jetë më të mirë për banorët e kryeqytetit. “Dështimet e zotit Rama si kryetar Bashkie janë të panumërta, por dështimi i tij më i madh është pa dyshim lënia e kryeqytetit në mëshirë të interesave të ndërtimit, pa një plan rregullues”, - nënvizoi deputeti i PD-së. Ai tha ndër të tjera se gjatë këtyre viteve Tirana ka përjetuar një bum ndërtimesh, ku sipërfaqja e ndërtuar e qytetit është disafishuar, duke krijuar një shqetësim të vazhdueshëm dhe problematika të thella për qytetarët, pasi çdo ndërtim është bërë pa u planifikuar më parë nga një plan rregullues. Ndërsa priten zgjedhjet vendore dhe kreu i Bashkisë së Kryeqytetit kryeson Tiranën për plot 3 mandate qeverisëse, deputeti i PD-së, Gerti Bogdani, rishtas e cilësoi në këtë kontekst Tiranën si të vetmin kryeqytet në Europë pa një plan të përgjithshëm rregullues, edhe pse, sipas Bogdanit, plani i përgjithshëm rregullues ishte premtimi i parë i Edi Ramës kur u zgjodh në vitin 2000.
6 Korrik 2010