Berisha vazhdon fushatën në komunat e Korçës, premton investime në zonat rurale
Kryeministri Sali Berisha, në ditën e dytë të nisjes zyrtare të fushatës elektorale, ka preferuar të zhvillojë takime dhe mitingje në qytetin e Korçës, duke u ndalur veçanërisht në komunat e këtij qarku. Gjatë turit të takimeve Berisha fillimisht u ndal në Cërravë për të inauguruar rrugën e fshatit Bllacë me gjatësi 3,5 kilometra dhe vlerë 26 milion lekë. Kjo rrugë është një premtim i mbajtur i qeverisë për komunitetin e kësaj zone. Duke përshëndetur banorët, kryeministri u shpreh se ndodhej pranë tyre për tu zotuar se në mandatin e ardhshëm do të bëheshin realitet të gjitha premtimet për ujë të pijshëm në çdo familje shqiptare, për barazimin e pensioneve të fshatit me ato të qytetit, për pesëfishimin e grantit për prodhimet e fermerëve, si dhe për asfaltimin e çdo pëllëmbe rrugë në të gjithë Shqipërinë. Në takimin me banorët e kësaj zone Berisha prezantoi kandidatin e PD-së për deputet, Edmond Spahon. Në vijim të vizitës së tij në Korçë, Kryeministri Berisha u ndal në fshatin Belorta, të komunës Bulgarec, për të përuruar rrugën e këtij fshati, investim me vlerë 10 milionë lekë. Gjatë takimit me banorët e kësaj zone Berisha premtoi investime në zhvillimin e infrastrukturës rrugore. “Ne kemi asfaltuar 6000 km rrugë. Tani nuk ka forcë në botë që na mban ne, pa veshur çdo rrugë të këtij vendi me asfalt. Ne vijmë këtu për t’u zotuar, se do të pesëfishojmë grantin për prodhimet tuaja dhe se do të bëjmë çdo gjë për rritjen maksimale të prodhimit”, është shprehur kryeministri dhe kryetari i PD-së, Sali Berisha.
KQZ-ja ndryshon modelin e fletës së votimit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje ndryshimet e fletës së votimit duke zgjedhor modelin e propozuar nga Partia Socialiste. Fleta e re e votimit me të cilën do të votojnë shqiptarët për zgjedhjet e 28 qershorit do të ketë të shënuar në krahun e majtë emrin e koalicionit dhe anash saj do të ketë emrin e subjektit politik. Për fletën e votimit pati dy modele. Në modelin e propozuar nga PD-ja parashikohej që krye të listës të shënohej emri i koalicionit dhe pastaj të vendoseshin me radhë emrat e partive që janë pjesë e tij. Modeli i PS-së, që edhe u miratua, parashikon që emri i koalicionit shënohet në anë të fletës në të majtë të saj, paralel me anën tjetër të fletës ku është një kuti e vogël, në të cilin bëhet shënimi i zgjedhësit se për kë parti voton. Shkrimi i emrit të parive politike do të jetë më i vogël ç’ka do të mundësojë shënimin edhe të subjekteve politike që e kanë emrin e gjatë. Fleta e votimit është e formatit A3. Ajo përmban siglat dhe emrat e koalicioneve që garojnë në zgjedhje dhe partive që bëjnë pjesë. Renditja e subjekteve politike do të bëhet në fillim duke u bazuar te emri i koalicionit dhe më pas nga emri i partisë politike. Ndryshim do të ketë fleta e qarkut të Tiranës, ku do të ketë një kandidat të pavarur, i cili, ashtu siç kërkon ligji, do të renditet mbi dy partitë që nuk marrin pjesë në koalicion. Ndryshimet e fletës së votimit erdhën pas regjistrimit të një numri më të madh të partive se sa ishte menduar nga KQZ-ja.
30 Maj 2009