E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmia e Pinarit për ngjarjen e Gërdecit

Zbardhet deklarimi i ish-kreut të “MEICO”-s vetëm një ditë pas shpërthimit. Pinari tregoi edhe se si u informua për shpërthimin nga gjeneral Shpëtim Spahiu

Zbardhet dëshmia e dhënë në Prokurori e Ylli Pinarit më datën 16 mars 2008, as 24 orë pas shpërthimit në Gërdec. Pinari ka shpjeguar në mënyrë të përgjithshme se si filloi projekti i demontimit në Gërdec, deri te shpërthimi i fabrikës. Dy ditë më vonë ai do të arrestohej në zyrën e tij, me urdhër të të njëjtëve prokurorë që i kërkuan këtë dëshmi.

Deklaratë

Firma “MEICO” import-eksport është krijuar me vendim të Këshillit të Ministrave në vitin 1991, me veprimtari import-eksportin e materialeve ushtarake. Në urdhrin e ministrit të Mbrojtjes janë dhe detajet e veprimtarisë së firmës “MEICO”. Urdhri i fundit është ai nr. 5, i vitit 2003, i ministrit Pandeli Majko, për veprimtarinë e ndërmarrjes “MEICO”. Kjo firmë bazohet në legjislacionin e firmave shtetërore. Zyrat janë në godinën e Ministrisë së Mbrojtjes në Tiranë. Dy urdhra të fundit të ministrit të Mbrojtjes kanë mundësuar kalimin e kapitalit të dy grup-depove në zonën e Ndroqit dhe në zonën e Romanatit, ndërsa tjetra në ish-Repartin e Tankeve në Gërdec. Si numër punonjësish kemi rreth 25 punonjës, përfshirë dhe punëtorët e ngarkim shkarkimit me kontrata afatgjate dhe afatshkurtra sipas nevojës. Të gjitha shitjet deri në vitin 2006 bëheshin në bazë të VKM-së nr. 617 në të cilën përcaktohej e drejta e Ministrisë së Mbrojtjes për shitjen e municionit dhe armatimit. Me ligjin e ri të miratuar në fund të vitit 2007 është liberalizuar tregu duke bërë që të jetë e mundur futja e operatorëve të tjerë në treg, por kjo akoma nuk është bërë e mundur sepse nuk kanë dalë ende aktet nënligjore dhe nuk janë krijuar ende strukturat përkatëse. Në të gjitha rastet shitja apo blerja e armëve dhe municioneve bëhet me urdhër të posaçëm të Ministrit të Mbrojtjes për nevojat e ushtrisë, të cilat dalin sipas rastit. Unë kam qenë drejtor në këtë firmë në vitet ‘91-‘92 dhe pastaj jam liruar. Jam rikthyer në vitin 2000 në pozicionin e drejtorit të Përgjithshëm të ndërmarrjes “MEICO”, me gradën “Major”. Si procedurë, mallrat na dorëzohen në aeroporte ose porte, por paraprakisht, para se të lidhet kontrata me blerësit, ne kërkojmë nga Komisioni i Çmimeve pranë Ministrisë së Mbrojtjes çmimet përkatëse. Në procedurë na vjen një ofertë nga një subjekt i huaj për artikuj të ndryshëm. Ne i kërkojmë Shtabit të Përgjithshëm nëse disponohen artikujt e kërkuar. Më pas nëse ata japin miratimin për shitjen e këtyre artikujve ne kontaktojmë komisionin e çmimeve për të përgatitur çmimet përkatëse për artikujt e kërkuar. Me këto dokumente, pasi kemi marrë dhe dokumentacionin përkatës së firmave, ne ia dërgojmë sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes për të miratuar lejen e eksportit. Në rast se të gjitha na rezultojnë të sakta, atëherë ne kërkojmë urdhrin e ministrit për kalimin për shitje të artikujve të kërkuar dhe ministri nxjerr urdhrin përkatës. Në këtë moment ne fillojmë ekzekutimin e shitjeve të artikujve të kërkuar. Në rastin konkret, përfaqësuesi i firmës “Southern Ammunition”, Patrik Henri, ka bërë kërkesë për blerjen e municioneve për t’i demontuar në SHBA fillimisht. Ai në vitin 2006 ka ardhur në Shqipëri, ku ka inspektuar fishekët me gëzhojë tunxhi. Ai, pasi i ka parë këto municione, ka paraqitur kërkesën për 100 milionë fishekë me kalibër 7.62x54 mm, 20 milionë fishekë të kalibrit 12.7 mm, 20 milionë fishekë të kalibrit 14.5 mm dhe 500 mijë fishekë të kalibrit 37 mm për demontim. Pas disa kërkesave të bëra nga ana e tij, të cilave nuk u është përgjigjur pozitivisht, ka bërë një kërkesë për demontimin e sasive të mëdha të municionit në vendin tonë. Kjo kërkesë i është paraqitur ministrit të Mbrojtjes nëpërmjet sekretarit të Përgjithshëm me anë të një memo-je të datës 5 korrik 2006. Pas memos që i dërguam ministrit, ne kemi pasur kontakte me Patrikun në lidhje me propozimin e tij. Pas këtyre praktikave i ka ardhur një propozim direkt ministrit Mediu, pasi unë i kam thënë Patrikut që t’i drejtohej në mënyrë direkte vetë ministrit. Pas korrespondencës që ai ka pasur me Ministrinë, sekretarja e ministrit ma ka kaluar mua propozimin e firmës për shqyrtim. Unë kam bërë ciklimin e shkresës së mësipërme dhe ia kam kaluar zyrës së marketingut të ndërmarrjes “MEICO” për të parë se sa municion kishim në gjendje, kjo edhe në zbatim të porosisë së sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë, Ardian Mullahi. Pasi u kryen verifikimet e nevojshme nga dega e marketingut, i është kthyer përgjigje sekretarit të Përgjithshëm për sasitë e municionit që mund të jepeshin. Me sa kujtoj, kjo shkresë ka qenë pjesë e draftit për Vendimin e Qeverisë nr. 138, datë 14.03.2007. Ky vendim përmban procedurat e trajtimit të municionit të tepërt. Pas këtij vendimi kanë dalë dhe dy urdhra të ministrit të Mbrojtjes, njëri për krijimin e komisionit për kategorizimin e municionit që bën ndarjen e tij për shitje, demontim, muze, skrap. Gjithashtu dhe urdhri tjetër, për krijimin e komisionit të çmimeve, i cili u riformatua. Të dyja këto komisione janë pranë Ministrisë së Mbrojtjes. Pas vendimit unë sërish aplikova pranë komisionit për kategorizimin e municionit dhe pranë komisionit të çmimeve për sasinë e kërkuar. Komisionet morën vendimet përkatëse, të cilat m’i kanë dërguar zyrtarisht. Pas daljes së Urdhrit nr. 550 të ministrit për firmën “Southern Ammunition”, është lidhur kontrata nga ana ime me vlerë maksimale prej 1 milionë e 611 mijë e 200 dollarësh amerikanë. Gjithashtu, pas lidhjes së kontratës unë kam nxjerrë një urdhër të brendshëm për zbatimin e kontratës dhe të urdhrit të ministrit. Në pikën 6 të Urdhrit nr. 550 të ministrit thuhet se sekretari i Përgjithshëm lëshon lejen e eksportit nëse kërkohet për materialet që burojnë nga procesi i demontimit, që janë baruti dhe plumbi. Me një vendim të Këshillit Drejtues të ndërmarrjes “MEICO” është marrë në punë zoti Sokol Ngjeçi, kryesisht për të ndjekur zbatimin e projektit. Nga ana jonë është administruar dhe kontrata e firmës “Southern Ammunition” me firmën “Albademil” dhe më pas kanë vazhduar proceset e punës ku fillimisht kryheshin verifikimet në bazat e ushtrisë pasi specifikimi ishte për gëzhoja tunxhi dhe kjo detyrë ndiqej kryesisht nga Sokol Ngjeçi dhe Xhemal Oranlliu në bashkëpunim me specialistët e Komandës Mbështetëse Logjistike. Në lidhje me vendin ku do të operonte kompania amerikane, u panë disa vende apo reparte të ndryshme dhe përfundimisht u vendos për repartin e Gërdecit. Ky vend është specifikuar edhe në urdhrin e ministrit. Fillimisht është bërë një kontratë qiramarrje ndërmjet Komandës së Forcës së Bashkuar dhe kompanisë “Southern Ammunition”. Me sa di unë, firma solli makineri dhe personel për të trajnuar punonjësit shqiptarë, të cilët do të punonin për demontimin e municioneve. Ky projekt zgjati deri në tetor 2007. Sasia nuk u realizua plotësisht, gjë që u vërtetua në një procesverbal të posaçëm të mbajtur bashkërisht me firmën në datën 30 tetor 2007. Në një periudhë të mëparshme, në muajin shtator, Patrik Henri na ka ofruar të bënte demontimin e municioneve të kalibrit të madh. Në këto kushte i kam bërë një memo ministrit dhe sekretarit të Përgjithshëm që firma kërkonte të vazhdonte projektin me këto municione. Më datë 07.12.2007 doli Urdhri nr. 2044 i ministrit të Mbrojtjes për të lidhur përsëri kontratën me këtë firmë për demontimin industrial të 11 mijë e 184 tonëve municion të kalibrave të mëdhenj. Urdhri përmbante dhe çmimet e njësive, të cilat ishin miratuar nga komisioni i çmimeve. Në pikën 7 të këtij urdhri thuhet që ndërmarrja “MEICO” të vërë në dispozicion për realizimin e këtij projekti ambientet në administrimin e saj të ish- fabrika e tankeve në rajonin e Gërdecit në Vorë, pikërisht atje ku ishte kryer dhe projekti i parë. Është lidhur kontrata mes “MEICO” dhe “Southern Ammunition” dhe pjesë e saj ishte dhe kontrata me nënkontraktorët. Veprimet e para kanë filluar në fillim të janarit të vitit 2008. Sërish është zgjedhur zoti Sokol Ngjeçi për të ndjekur procesin gjithashtu u përcaktua një plan furnizimi në sasinë e 40 kamionëve në 2 ditë. Në të dyja rastet e kontratave u caktua magazinier nga ana jonë pra e firmës “MEICO” që do të merrte në dorëzim municionin dhe do ta dorëzonte te magazinieri i firmës private. Magazinier në projektin e dytë është Artur Ballabani. Në lidhje me sasinë e municionit të çuar nuk mund t’u them pasi ne ende nuk disponojmë dokumentet e dorëzimit të municionit, unë kam ngarkuar tre punonjës që të zbardhin sasitë e municionit të dorëzuar. Në ditët ën vijim do tua vëmë në dispozicion këto dokumente. Në lidhje me ngjarjen e Gërdecit, atë ditë unë kam qenë në një panair në Gjermani së bashku me tre punonjës të tjerë të ndërmarrjes “MEICO”. Jam njoftuar nga komandanti i Forcës së Bashkuar Shpëtim Spahiu rreth orës 12 të paradites për shpërthime të mëdha në Gërdec. Mora në telefon Dritan Minxollin, i cili ishte duke qarë. Ai më tha që po ndodhte një katastrofë. Më mori në telefon dhe Patrik Henri, që më kërkoi një konfirmim të asaj që kishte ndodhur. Jam njoftuar nga zyra ime se kishte vajtur prokuroria atje dhe kërkonte dokumentacionin. I thashë që jepini çdo gjë që t’iu kërkojnë. Pastaj kam komunikuar me ministrin dhe me të tjerë. Kam ndërruar biletën e avionit duke u nisur mbrëmë nga Nurembergu dhe mbërrita në Tiranë sot rreth orës 1 të mëngjesit.

Pyetje: Si zgjidhet drejtori i ndërmarrjes “MEICO”?

Përgjigje: Drejtori zgjidhet me urdhër të ministrit, duke qenë se është kompetencë e tij për ndërmarrjet shtetërore.

Pyetje: A keni konfirmuar ju vërtetësinë e ekzistencës së firmës “Southern Ammunition”?

Përgjigje: Në projektin e parë, kontratën e parë, janë përfshirë 4 dokumente licenca të lëshuara nga autoritetet e vendit të tij në të cilat ky person figuronte si përfaqësues dhe pronar i firmës. Këto materiale duhet të jenë dhe në materialet e dosjes së Projektvendimit nr. 138 të Këshillit të Ministrave.

Pyetje: A është e ligjshme kontrata mes firmës “Southern Ammunition” dhe firmës “Albademil” për demontimin e municioneve?

Përgjigje: Mendoj se nuk ka ndonjë pengesë që zbatimi i projektit të kruhet nga ndonjë operator shqiptar, sidomos kur në rastin konkret operatori amerikan është dhe vetë pjesë e kësaj firme. Kjo ndoshta është dhe në efekt të ligjit të tatimeve që kërkon një rezidencë në Shqipëri për firmën e regjistruar.

Pyetje: A e njihni shtetasin Mihal Delijorgji?

Përgjigje: Po, e njoh. E kam njohur si zbatues i një kontrate të mëparshme “Barter” për dorëzimin e 30 mijë tonë skrapeve kundrejt 20 automjeteve, kjo në zbatim të një vendimi të Këshillit të Ministrave dhe një urdhri të posaçëm të ministrit të Mbrojtjes në vitin 2003-2004. Kam komunikuar me të dhe në kontekstin e zbatimit të këtyre dy kontratave. Gjithashtu kam dhe miqësi në aspektin shoqëror me të.

30 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›