Braçe: “Kemi fituar mandatin e pestë në Berat, Berisha të mos na i vjedhë”
Anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka dhënë dje një konferencë për shtyp ku e ka akuzuar kryeministrin Sali Berisha se po përpiqet t’i rrëmbejë Partisë Socialiste mandatin e pestë që ajo ka fituar në qarkun e Beratit. Braçe akuzoi gjithashtu kryeministrin Berisha se po shkel rëndë Kushtetutën, duke i shkaktuar procesit zgjedhor vonesa të mëdha.
“Shtrirja e paligjshme e tij përtej çdo caku po ushqehet nga bindja kriminale e Sali Berishës për të deformuar e vjedhur votat e shqiptarëve për forcën e parë politike në vend, Partinë Socialiste. Kjo përpjekje kriminale që shkel rëndë Kushtetutën, duke mos numëruar votat e shqiptarëve edhe 7 ditë nga hedhja e tyre në kutinë e votimit, po rrënon përfundimisht dhe pa kthim procesin zgjedhor në këtë vend, proces i cili kështu nuk ka më asnjë standard ndërkombëtar që ta bëjë të pranueshëm. Çdo votë e panumëruar, çdo votë e vjedhur cenon këtë parim kushtetues duke e bërë tërësisht të papranueshëm procesin zgjedhor”, - tha Braçe.
Duke folur për mandatin e pestë të PS-së në qarkun e Beratit, deputeti socialist u shpreh se këtë mandatat qytetarët e kanë dhënë për Partinë Socialiste, porse ky mandat po vidhet nga Sali Berisha. “Ne kemi të gjitha provat e mjaftueshme që ai mandat është i yni, ndaj kemi kërkuar duke u mbështetur në ligj, transparencë mbi çdo votë të numëruar në kushte terrori e presioni kriminal në KZAZ-në Nr. 1. Kemi kërkuar rivlerësimin e 750 votave të pavlefshme, të shpallura të tilla në kushte presioni e pa vendim të administratorëve në KZAZ-në Nr. 1. Kemi kërkuar rivlerësim të 1448 fletëve të votimit të pavlefshme, të shpallura të tilla me vendim numerik shumice të administratorëve të KZAZ-së Nr. 2. Këto vota janë disa herë më shumë sesa votat e vjedhura me të cilat Sali Berisha na grabiti mandatin e 5-të”, - u shpreh Braçe. Ai e quajti qeverinë e re si një qeveri virtuale, e cila po përpiqet të dekurajojë numërimin dhe transparencën e votave.
7 Korrik 2009