E Diel, 1 Nëntor 2026

“Berisha vazhdon të mohojë të vërtetën”

13/05/2009  Deklarata e Kodhelit

Partia Socialiste akuzoi Kryeministrin Berisha për kujdesin ndaj familjes së tij në mënyrën e gabuar, në mënyrë jo etike dhe ndoshta të paligjshme. Një akuzë e tillë u bë dje e ditur nga zëdhënësja e kryesisë së kësaj partie, Mimi Kodheli, gjatë një konference për shtyp, e mbajtur përpara godinës së Kryeministrisë. “Sot, edhe njëherë tjetër familja e Sali Berishës turpëroi Shqipërinë. Edhe njëherë, Berisha dhe zëdhënësit e tij mohuan aferat në të cilat janë përfshirë, pavarësisht provave që vazhdojnë të dalin përditë dhe që tregojnë më së miri, se familja Berisha nuk po punon në interes të shqiptarëve. Gjithçka ata dinë të bëjnë, është të mohojnë, të mohojnë, dhe vetëm të mohojnë”, vuri në dukje Kodheli, gjatë fjalës së saj. Njëkohësisht duke shkuar më tej, zëdhënësja e kryesisë së PS-së nënvizoi se “Sali Berisha është kujdesur për familjen e tij në mënyrën e gabuar, në mënyrë jo etike dhe ndoshta të paligjshme”. Për këtë arsye, Kodheli i mëshoi me forcë faktit se “sot shqiptarët meritojnë më shumë, sot shqiptarët meritojnë një politikë të re, shqiptarët kërkojnë ndryshim”. Gjatë këtyre ditëve nuk kanë munguar dhe dokumente, të cilat pasqyronin qartë atë çfarë po ndodh me Kryeministrin e vendit, me familjen e tij politike dhe me familjen e tij biologjike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›