E Shtunë, 31 Tetor 2026

Materiali përmbledh pikët e udhëzimet për në universitet

14/05/2009  Shpërndahet në shkolla gudia e maturës shtetërore

Maturantët tashmë janë pajisur me udhërrëfyesin e provimeve për pranimet në universitete gjatë vitit akademik 2009-2010. Burime pranë Ministrisë së Arsimit bëjnë të ditur se është dërguar nëpër shkolla dhe guida e maturës shtetërore, e cila do të ndihmojë maturantët në marrjen e informacioneve të duhura për të siguruar një të drejtë studimi në degën e preferuar të universiteteve publike në të gjithë vendin. Kjo pasi maturantët do të kenë mundësi që të njihen me kriteret e duhura të sistemit meritë-preferencë (MeP), nëpërmjet të cilit bëhet renditja e kandidatëve fitues sipas kuotave të miratuara edhe nga qeveria për pranimet në universitete. Ky material, ndryshe nga ai i shpërndarë gjatë vitit të shkuar, do të përmbajë udhëzimet e MASH-it për datat e provimeve në të gjitha shkollat e mesme, rregullorja e maturës shtetërore, sqarime për provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje, sqarime për mënyrën e regjistrimit si kandidat në shkollat e larta. Njëkohësisht guida do të përmbajë një informacion të detajuar edhe me programin e punës për Këshillimin për Karrierën (pikët minimale për çdo degë të fakulteteve të gjithë vendit), që do t’u vijnë në ndihmë kandidatëve për të bërë zgjedhjet e duhura për ndjekjen e studimeve të larta. Kjo situatë do të finalizohet kur do të iniciojë periudha e listimit të preferencave në formularin A-2. Plotësimi i formularit A-2, në të cilin listohen degët e fakulteteve ku maturantët duan të ndjekin studimet e larta, do të nisë gjatë muajit qershor. Për plotësimin e tyre do të ketë një afat të caktuar kohor prej rreth dy javësh. Gjithashtu është përcaktuar që dorëzimi i këtyre formularëve të plotësuar pranë AVA-s nga drejtoritë arsimore do të bëhet deri më datën 2 korrik. Pas kësaj date nis procesi i hartimit të testeve për provimet e lëndëve me zgjedhje, që do të zhvillohen në një ditë të vetme për të gjitha shkollat e mesme në vend, përkatësisht më datën 10 korrik. Pas kësaj date nis procesi i përllogaritjes së komponentëve të maturës shtetërore, nga ku bëhet dhe listimi i kandidatëve që do të marrin statusin si student.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›