Berisha vazhdon turin e përurimeve, sulmon Ramën nga Korça
Kryeministri Berisha mori pjesë dje në përurimin e ristrukturimit të plotë të shkollës së mesme profesionale “Fan Noli” të Korçës. Kryeministri Berisha vizitoi mjediset e brendshme të shkollës dhe vlerësoi punën e bërë, për t’i dhënë këtij institucioni të dijes fytyrën europiane. Më pas, kryeministri Berisha zhvilloi një takim me nxënësit, mësuesit dhe qytetarët e pranishëm në këtë përurim. Në përshëndetjen e tij, kryeministri Berisha u shpreh se “për qeverinë arsimi mbetet përparësi e të gjitha përparësive. 5 vjet më parë dhe në vazhdim kam qenë dhe vazhdoj të mbetem i bindur se Shqipëria është vendi i 1001 halleve, por Shqipëria është vendi i 1001 mundësive dhe rruga më e sigurt për të shndërruar mundësitë e saj të jashtëzakonshme në vlera dhe realitet pozitiv për qytetarët e saj është investimi në mendjen, talentin e fëmijëve tanë dhe të rinjve tanë. Në këtë kontekst, në këto 5 vite arsimi shqiptar ka njohur transformimet më të mëdha. Mësuesit e Shqipërisë janë të vetmit që kanë njohur dyfishimin e rrogave dhe unë dua t’i garantoj mësuesit dhe mësueset e Korçës dhe mbarë Shqipërisë se ritmi i rritjes së rrogave dhe trajtimit të tyre mbetet përparësi madhore e qeverisë. Ne ju konsiderojmë ju shtylla kryesore e reformimit të arsimit shqiptar”, - është shprehur Berisha, ndërsa e përqendroi fjalën e tij te politika që po ndjek opozita. “Sot në Shqipëri po përhapet si një makth antikultura e bllokut, me ardhjen në krye të PS-së të pinjollëve të Byrosë politike dhe të bllokut të vjetër. Në Shqipëri, nga mëngjesi deri në darkë bëhet çdo gjë që të shkelmohet nga këta shokë apo zotërinj mbi interesat tuaja jetike. Çdo minutë, çdo orë, çdo ditë shpifin dhe mashtrojnë vetëm e vetëm që të errësojnë rrugën tonë europiane. Këta shokë apo zotërinj, në momentin më kulmor kur do të vendosej për të hapur negociatat për statusin e kandidatit qëndruan jashtë Parlamentit, vetëm e vetëm që vendimi të mos merrej. Por unë jam sot këtu për t’u zotuar para jush se asgjë rrugën tonë drejt Europës nuk do mund ta ndale. Edi Rama le të kalojë nga kutia në bunker dhe nga bunkeri në kuti, sa herë të dojë. Shqipëria është vend ilirë. Le t’i ngrehin e t’i shkrehin çadrat sa herë të duan. Asgjë nuk do të na pengojë ne në rrugën tonë drejt Europës”, - është shprehur Berisha.
Topalli bën leksion për opozitarizmin në Konferencën e kryetarëve të parlamenteve
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, është shprehur dje se askush nuk qëndron mbi ligjin dhe mbi shtetin e së drejtës, as opozita. Këtë deklaratë Topalli e ka bërë dje gjatë fjalës së mbajtur në Konferencën e nivelit të lartë të kryetarëve të parlamenteve të KiE-së në Qipro. “Parlamenti shqiptar, komisionet parlamentare kanë punuar e votuar një numër të madh ligjesh të reformave të thella. Axhenda e Parlamentit është axhenda e integrimit europian. Kjo do të thotë reforma në çdo fushë; kjo kërkon guxim, por edhe vendosmëri, sepse reformat nuk janë garë pa pengesa. Në këto sfida Parlamenti është kthyer në institucion lider. Më 28 qershor 2009 në Shqipëri u zhvilluan zgjedhjet parlamentare. Për këto zgjedhje, Kuvendi u angazhua për të dhënë kontributin e vet për një proces të lirë dhe të ndershëm. Kuvendi pranoi çdo propozim të opozitës për sistemin elektoral dhe bëri gjithçka për t’i dhënë siguri të plotë opozitës. Kodi Elektoral u votua në Kuvend si një ligj plotësisht konsensual, me të drejtën e vetos për çdo komisioner, çdo observues. Këto zgjedhje rezultuan unike në historinë e vendit tim. Ato u mbajtën me një teknologji totalisht të re, lista votuesish dixhitale, pasaporta biometrike dixhitale e karta identiteti”, - është shprehur Topalli. Sipas saj, opozita po bën luftë të paprinciptë duke iu kundërvënë ligjit, kushtetutshmërisë për interesa egoiste personale. “Detyra e opozitës nuk është të propozojë asgjë dhe të kundërshtojë çdo gjë. E aq më pak të përdorë mekanizma pengues, bllokues. Ajo duhet të guxojë, të sfidojë interesa të ngushta partiake, e jo të kthehet në funksion të interesave individuale të një personi. Sjellja dhe roli i opozitës përben një element thelbësor për matjen e cilësisë së demokracisë. Nëse ajo merr rolin e prishësit, ajo dëmton drejtpërdrejt vendin në zhvillim. Kur partitë e opozitës përdorin mjete ekstraparlamentare, forma të ashpra e të gjata bojkoti, apo mjete të tjera që nuk i takojnë një force politike, kjo formë e të bërit opozitë është mohimi i dialogut, i konsensusit dhe mohim i vetë qenies opozitë parlamentare. Kryetarët e parlamenteve kanë një mision e përgjegjësi shumë të rëndësishme. Kolegët, kryetarë parlamentesh të pranishëm në këtë sallë, e dinë më mirë se kushdo tjetër me sa sfida duhet të përballemi. Detyra jonë është të respektojmë opozitën, hapësirat, rolin dhe çdo kërkesë të ligjshme të saj. Por, në të njëjtën kohë të jemi garant të respektimit të ligjit, të Kushtetutës e të shtetit ligjor. Mbi ligjin e shtetin e së drejtës nuk qëndron askush, as opozita. Kur një forcë politike zgjidhet përmes zgjedhjesh demokratike, opozita duhet të përfaqësojë kritikën konstruktive ndaj saj, dhe jo bojkotin”, - është shprehur Topalli.
12 Qershor 2010