Berisha, vendorëve: Vilni taksën e pronës, do t’ju shtojmë buxhetin
Qeveria do të shumëfishojë buxhetin e qeverisjes vendore, por asaj i duhet të vjelë me korrektësi taksën e pronës. I pranishëm në ceremoninë e organizuar në kuadër të Javës Evropiane të Demokracisë Lokale në mjediset e hotelit “Tirana”, Kryeministri Berisha vlerësoi dje kontributin e çmuar të autoriteteve vendore si dhe garantoi se "qeveria e konsideron jetike dhe vendimtare partneritetin me pushtetin vendor për realizimin e programit të saj të Shqipërisë evropiane". Kryeministri i cilësoi 4 vitet e ardhshme, si vitet e transformimit të madh që vendi ka njohur në tërë historinë e tij dhe levë kryesore, siç u shpreh ai, "do të kenë decentralizimin, partneriteti me pushtetin vendor dhe autonominë e tij". "Në rast se deri më sot ne kemi katërfishuar grantin për ju, ju jap fjalën se shumëfishime të tjera do të bëhen, sepse vetëm në partneritet me ju dhe në respekt të autonomisë suaj ne do të mund të zhvillojmë Shqipërinë", - theksoi Kryeministri. Z. Berisha u ndal dhe te zhvillimi i "Shqipërisë rurale", që e konsideroi si prioritet të qeverisë. Ai kërkoi përkushtimin e qeverisë qendrore për dyfishimin e prodhimit bujqësor, pasi "kjo është përcaktuese për luftën kundër varfërisë dhe për rritjen ekonomike të vendit". Pak javë më parë, qeveria vendosi krijimin e Fondit për Zhvillimin e Rajoneve, që synon të ulë maksimalisht kompetencat e dikastereve qendrore dhe t’i kalojë ato tek autoritetet vendore. Në këtë kuadër, Kryeministri kërkoi nga vendorët që të hartojnë projekte dhe të përcaktojnë përparësitë e investimeve në zonat e tyre, si rruga më e sigurt e zhvillimit. “Përmes Fondit të Zhvillimit të Rajoneve shpërndarja do të jetë e ndershme, e barabartë dhe në përputhje të plotë me nevojat tuaja. Nuk mund të mohoj se në vitin 2010 përparësi absolute do të ketë ultësira bregdetare turistike", - tha Kryeministri Berisha, ndërsa siguroi se "çdo rrugë që zbret drejt detit, do të asfaltohet brenda vitit 2010". Sipas tij, turizmi është jetik jo vetëm për të ardhurat që sjell, por edhe për të bërë të njohur vendin tonë në Evropë. "Ne do të investojmë për çdo fshat të këtij vendi. Ne nuk ndjekim politikën e braktisjes së zonave dhe do të insistojmë kudo për zhvillimin e territorit të këtij vendi", - tha Kryeministri. Duke siguruar vendorët se qeveria do t'u kthejë çdo qindarkë që mund t'u jetë prekur nga disa lëvizje fiskale të qeverisë, Kryeministri u kërkoi atyre që të tregojnë 'zero tolerancë' ndaj autoriteteve tatimore për regjistrimin e bizneseve. Gjithashtu, Kryeministri kërkoi angazhimin e vendorëve në vjeljen e taksës së pronës, e cila sipas tij "është burimi kryesor i të ardhurave të qeverive vendore". Në përfundim, Kryeministri siguroi se "nuk do të ketë asnjë lloj diskriminimi të vetëm për sa i përket përkatësisë partiake të qeveritarëve vendorë".