Topi-Lohan: Konsolidim institucioneve në vend
Ambasadori i KE-së në Tiranë, Helmuth Lohan, dhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, e quajnë të rëndësishëm forcimin e demokracisë në vend dhe konsolidimin e institucioneve shqiptare. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje përfaqësuesin e Komisionit Evropian në vendin tonë, ambasadorin Helmuth Lohan, i cili i dorëzoi kryetarit të shtetit shqiptar raportin vjetor të përparimit që ky Komision ka hartuar për Shqipërinë. Në këtë takim, Presidenti Topi falënderoi ambasadorin Lohan për mbështetjen e vazhdueshme e të gjithanshme që Komisioni Evropian i ka dhënë Shqipërisë në procesin e përmbushjes së standardeve dhe kërkesave për integrimin në familjen e madhe evropiane, ku vendi ynë dhe populli shqiptar aspirojnë të jenë pjesë me arritjet dhe vlerat e tyre më të mira. Presidenti vuri në dukje përpjekjet dhe reformat e ndërmarra nga shtetit shqiptar me këtë asistencë për forcimin e demokracisë në vend, konsolidimin e institucioneve, forcimin e shtetit ligjor, pavarësinë dhe profesionalizmin e medias, respektimin e të drejtave të njeriut dhe nënvizoi se ne jemi të vetëdijshëm për punën dhe sfidat e reja që na presin, për përballimin e së cilave kemi vullnetin dhe angazhimin maksimal. Pasi i dorëzoi Presidentit Topi raportin vjetor të përparimit të KE-së, ambasadori Lohan shprehu kënaqësinë për këtë takim me kryetarin e shtetit, duke vënë në dukje rolin pozitiv të Presidentit si autoriteti më i lartë moral i vendit dhe si garantues i integritetit të Kushtetutës dhe të ligjit. Ambasadori Lohan vlerësoi gjithashtu edhe rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon për ruajtjen e paqes dhe qëndrueshmërisë në Ballkan si dhe në arenën ndërkombëtare.