Ditëlindja, Berisha: Unë do festoj 90-vjetorin dhe tutje
I detyruar të mposhtë emocionet dhe të presë urime pa fund në përvjetorin e 65-të të lindjes së tij. Dita nisi dhe u mbyll me qindra buqeta lulesh që kurrë më parë nuk kishin hyrë si dje në selinë qeveritare. Fjalët kanë fatkeqësisht aftësinë të zvogëlojnë e t’i japin dimensione edhe atyre ndjenjave që nuk njohin kufij. Në rastin konkret, respektin ndaj Kryeministrit të vendit, Sali Berisha. Në kohën kur ishte student, në vitin e dytë të Fakultetit të Mjekësisë, mësoi gjuhën ruse. Dy vjet më pas, iu vu gjuhës frënge. E studio atë në mënyrë të përkryer. Madje duke çuditur dhe shokët e dhomës, të cilët i zgjonte drita që në orën 4 të mëngjesit kur Berisha ngrihej dhe ulej mbi gjuhën e huaj. Aq sa atëherë njëri nga shokët e dhomës i tha: “Po ç’bën që lexon kaq shumë frëngjisht, sikur do të shkosh në Paris...”. Pa shkëputur kokën nga fjalori, Berisha mësohet të jetë përgjigjet: “Ku i dihet, edhe mund të shkoj dhe të studioj në Paris...”. Dhe ishte këmbëngulja, vullneti dhe kurajoja e tij e veçantë që e bëri të mundur studimin në Paris të Francës. Në vitin 1978, ai fitoi një bursë nëntëmujore nga UNESCO për studime të avancuara dhe trajnime në Paris. Sepse ishte i shkëlqyer. Pikërisht këtë kurajo të pashoqe ia kujtuan dje në ditën e lindjes, 65-vjetorin, anëtarët e kabinetit përmes një dhurate të veçantë. Një pjatancë argjendi me dedikimin në anglisht: “One man with courage makes a majority”, (Një burrë me kurajë, krijon mazhorancën). Ishte ide e zëdhënëses së qeverisë, Majlinda Bregu, për llojin e veçantë të dhuratës, të cilën ia dorëzoi doktorit në emër të 14 burrave të qeverisë. I befasuar nga dhurata surprizë, Berisha pohoi: “Po kështu është në të vërtetë...”. Por njeriu plot energji, edhe në moshën madhore prej 65 viteve të jetës së tij, ka ndërmend të festojë 70-vjetorin, 80-vjetorin, 90-vjetorit, madje edhe më tutje, siç u shpreh vetë ai me të qeshur tek trokiste gotën me verën e bardhë me anëtarët e kabinetit qeveritar. Dhe nëse do të jetosh 100 vjet, pi verë franceze... Gjithsesi në këtë shkëmbim urimesh, Kryeministri Berisha i falënderoi ministrat për kontributin dhe mbështetjen që ata i kanë dhënë gjatë këtyre viteve për realizimin e reformave të ndërmarra së bashku dhe i siguroi ata se katër vitet e ardhshme do të jenë edhe më të suksesshme. Ditën e nisi me stafin e afërt të Këshillit të Ministrave, prej të cilëve mori dhe buqetën e parë të luleve. Më pas ftoi kabinetin qeveritar, me të cilët ndau urimet për ditëlindjen. Kartolina më e mirë për z. Berisha, ishin të rinjtë e kryeqytetit. Kryeministri priti një grup nxënësish dhe studentësh, përfaqësues të shkollave e universiteteve të ndryshme, të cilët i uruan gjithashtu 65-vjetorin e tij të lindjes. Studentët dhe nxënësit e falënderuan Kryeministrin për të gjithë reformat e kryera deri më tani në arsim dhe për sistemin e internetit të ngritur në të gjitha shkollat e vendit. Kryeministri i siguroi ata se në vitet e ardhshme do të vijohet edhe më tej me reformat në arsim, për të zgjeruar universitet, rritur cilësinë e tyre dhe për të siguruar vendet e lira të punës, që të gjithë të diplomuarit të mund të angazhohen për njohuritë e marra në shkollë. Në fund të takimit, Kryeministri i falënderoi studentët dhe nxënësit për vizitën dhe urimet e tyre, duke u shprehur se urimi i tyre ishte më i bukuri që kishte marrë për këtë përvjetor të ditëlindjes.