Bojkoti, Meta: PS synon paralizimin e institucioneve
Ministri i Jashtëm Ilir Meta akuzon opozitën e kryesuar nga Edi Rama se po tenton paralizimin e institucioneve në vend dhe bllokimin e procesit integrues për shqiptarët. Kundrejt kësaj, në emër të qeverisë, Meta ftoi dje PS-në që të dialogojë në Kuvend me mazhorancës dhe bashkërisht të bëjnë të mundur kryerjen e reformave që kërkon Brukseli. Sipas tij, opozita duhet të marrë përgjegjësitë e veta për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin me të drejta të plota në BE. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, deklaroi se "mazhoranca i ka bërë të gjitha përpjekjet dhe i ka lënë të gjitha dyert e hapura për të bashkëpunuar me opozitën për ecurinë e të gjitha reformave në vend". Gjatë një konference për shtyp, z. Meta përshëndeti progres-raportin e publikuar dje nga Komisioni Evropian për Shqipërinë, ndërsa theksoi se "mazhoranca ka vullnetin që në respekt të sistemit kushtetues në vend dhe pavarësisë së gjyqësorit, të krijojë të gjitha hapësirat dhe mundësitë që opozita të zgjidhë pretendimet e saj brenda institucioneve". Shefi i diplomacisë, Meta, u ndal edhe një herë tek nevoja e pranisë së opozitës në Kuvend për kryerjen e reformave që i duhen vendit për t’u integruar. Duke folur për bojkotin e opozitës, Meta sërish tërhoqi vëmendjen se nëse ky kthehet në një qëllim në vetvete për të paralizuar institucionet, atëherë PS-ja do të mbajë përgjegjësinë e saj. "Nëse opozita e kthen në një qëllim në vetvete bojkotin, me strategjinë për të paralizuar institucionet, atëherë do të bëjë një gabim shumë të madh për veten e saj, pasi do të marrë një përgjegjësi lidhur me procesin integrues, ku të gjithë shqiptarët presin të prekin rezultatet konkrete", - tha z. Meta. Sipas tij, "opozita duhet të marrë përgjegjësitë edhe për ecurinë e procesit të liberalizimit të pritshëm të vizave", edhe pse në këtë drejtim z. Meta u shpreh optimist se vendimi do të merret vitin e ardhshëm". Kryediplomati Ilir Meta vuri në dukje se "nuk mundet kurrsesi që axhenda e cilitdo të bllokojë aspiratat e një populli të tërë". Ai iu referua rezultateve të progres-raportit për Shqipërinë, duke pohuar se rekomandimet e këtij dokumenti do të jenë edhe baza e programit të punës së qeverisë për integrimin e vendit. "Sikurse u vlerësua nga komisioneri Olli Rehn, Komisioni do të bëjë propozimin për heqjen e vizave me Shqipërinë brenda mesit të vitit 2010 dhe kam kënaqësinë që t’ju them se përmbushja e detyrimeve të Shqipërisë, për sa i takon udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, po ecën me një ritëm shumë të mbarë. Ky progres-raport do të materializohet në një program të menjëhershëm dhe konkret pune, për të adresuar të gjitha çështjet dhe pikat ku nevojitet një progres i mëtejshëm dhe i fuqishëm nga ana e qeverisë dhe të gjitha institucioneve të shtetit", - tha Ilir Meta, ministër i Jashtëm.