E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilltari i Komisionit të Helsinkit: Shqipëria, hapa para në procesin e zgjedhjeve

Në kuadër të përvjetorit të 20-të të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes SHBA-së dhe Shqipërisë, Këshilltari Politik i Komisionit Amerikan të Helsinkit dhe njëkohësisht një prej anëtarëve të delegacionit të parë zyrtar nga SHBA-ja, Bob Hand, theksoi dje në një intervistë për “Zërin e Amerikës” se vendi ka bërë përparime të mëdha, ku zgjedhjet, krahasuar me ato të viteve 2005 dhe 2009, ishin më të mira. “Sa i takon infrastrukturës dhe administrimit bazë të zgjedhjeve, ka pasur përmirësime të mëdha. Në një përvjetor si ky i tanishmi, mund të thuash se sa të mëdha kanë qenë ndryshimet, sa shumë janë përmirësuar gjërat, por nga ana tjetër, më duhet të them se 20 vjet janë një kohë e gjatë dhe përmirësimet mund të ishin shumë më të mëdha. Në vitin 2001 unë sugjerova që në zgjedhjet parlamentare të mund të merrnin pjesë edhe shqiptarët që jetojnë jashtë. Por tani, 10 vjet më pas, Shqipëria nuk është ende gati dhe i duhet të përqendrohet në sistemin e numërimit të votave duke i monitoruar ato me video në mënyrë që ruajë integritetin e procesit”, - tha ai. I pyetur për polarizim mes dy forcave kryesore politike, Hand theksoi se kjo klimë ka penguar seriozisht zhvillimin e shoqërisë civile. “Unë jam optimist se brezat e rinj të votuesve do të ngrenë zërin, do të refuzojnë të jenë pjesë e kësaj klime dhe do të kërkojnë të ndërtojnë një të ardhme të mirë për fëmijët e tyre dhe të kërkojnë përgjegjësi nga udhëheqësit dhe jo akuza reciproke siç shohim sot, apo protesta rruge, apo problemet e tjera me të cilat ndeshet Shqipëria si korrupsioni”, - nënvizoi këshilltari politik i Komisionit Amerikan të Helsinkit, Bob Hand.  

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›