E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, zhbllokon ngërçin për kreun e KQZ-së

Duke folur për miratimin e ligjit për Gjykatën e Lartë, Berisha i kërkoi kreut të opozitës, Edi Rama që të heqë dorë nga pazaret dhe përdorimin e disa standardeve për çështje të caktuara.

“Heqja e imunitetit, ka krijuar një vlerësim pozitiv, por pas heqjes së imunitetit, përsëri, parimet kërkohen të shndërrohen në pazare të neveritshme. Komisioni Evropian kërkon që të votohet ligji për Gjykatën e Lartë, të votohen amendamentet që Partia Socialiste i shtoi në ligjin për Gjykatën Administrative. Z. Edi Rama, me qëllimin e vetëm që ta bllokojë këtë proces, ka dy javë që i nxjerr deputetët nga Komisioni dhe lënë karriget bosh dhe ankohen se pse unë iu them nxënësve të shkollave që t’i ngulin sytë tek ato karrige. Në ato karrige, ti po shkelmon ëndrrën e bukur fëminore të tyre. Po bëj propagandë? Jo, absolutisht! Po them një të vërtetë. Kërkon pazar politik për vendime gjykatash”, tha kryeministrin në mbledhjen e grupit parlamentar.

Berisha shtoi se të njëjtën e kërkoi edhe për numërimin e votave, por nuk pati mbështetjen e askujt, për shkak se kishte një vendim gjykate. “ Këtë e kërkoi për numërimin e votave dhe këtë nuk e mbështeti kush sepse kishte një vendim gjykate. Ky është i papërmbajtur në pazare për vendimin e gjykatave. A je i drejtuar Gjykatës ti? Sot në Qarkun e Fierit, janë 50 këshilltarë nga mazhoranca dhe 43 nga opozita dhe tre po nga mazhoranca janë në proces gjyqësor. Nuk mund të ketë dy standarde. Unë u bëj thirrje edhe një herë; nuk ka gjë më absurde dhe duhet të mësohemi që të pranojmë vendimet e gjykatave. Kjo është gjithçka! Jo po kanë rënë këshilltarët sepse ke humbur shumicën. Problemi është shumë serioz, sepse ky zotëri mendon vetëm pazare. Politika është parime. Mos krijo përshtypje tek mbështetësit e tu se ti kërkon pazare me Sali Berishën. Këta e konsiderojnë shumicën si etërit e tyre”, shtoi ai.

Duke folur për çështjen e zgjedhjes së kreut të ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Berisha u shpreh se edhe në këtë rast, Partia Socialiste synon dy standarde, teksa iu përgjigj pozitivisht ftesës që të gjitha kandidaturat për këtë pozicion, të dëgjohen në seanca dëgjimore në Komisionin e Ligjeve. “Ata kërkojnë seancë dëgjimore vetëm për kandidaturat e mazhorancës, pasi të opozitës janë bërë në selinë e partisë. Bëj thirrje që të organizohen seanca dëgjimore për të gjithë, pasi Parlamenti ka zhvilluar seanca dëgjimore nga më të bukurat. E ftoj z. Rama që të veprojmë për një standard. I kalojmë të gjithë në seancë dëgjimore. Ligji është kontrata që na bashkon të gjitha palët. Merr mendjen e njerëzve që u futën në universitet në vit të parë dhe ngelën 4 vjet rresht. Megjithatë, zgjedhjet i bën ai vetë dhe i kërkoj që të heqë dorë nga mania e pazareve”, tha kryeministri.

Privatizimi i Alpetrol shton të ardhurat

Për sa i përket privatizimit të Albpetrol, Berisha tha se kompania e re që do të marrë këtë kompani do të shtojë prodhimin dhe do të rrisë të ardhurat në buxhetin e shtetit. Qëndrimet e Partisë Socialiste për këtë temë, Berisha i cilësoi si qëndrime të njëjta me të etërve të tyre komunistë.

“Dua të theksoj edhe një herë se disa qëndrime të shfaqura gjatë ditëve, disa shpifje dhe trillime nga eksponentë të opozitës dhe mediat që kontrollojnë, kanë qenë të motivuar nga ligësia njerëzore, nga keqdashja e plotë, nga smira e pakufishme. Unë dua të informoj shqiptarët se ky proces ka nisur tre vjet më parë. Është një proces i gjatë, serioz, i shumanshëm dhe nuk ka në mënyrë absolute as edhe një lloj lidhje. Proces ka nisur tre vjet më parë dhe ka kaluar në të gjitha etapat e domosdoshme. Ndaj, nuk ka asnjë arsye tjetër përveç se qëllimit të kësaj qeverie për të thelluar procesin e privatizimit për të rritur eficensën ekonomike. Rëndom eksponentët e opozitës e cilësojnë këtë si një shitje, identik si gjuha propagandistike e etërve të tyre”, tha ai.

Berisha tha se ka ardhur momenti që pasuritë e nëntokës shqiptare të shfrytëzohen për qytetarët shqiptarë. “Dua të qartësoj se dhënia me koncesion është në interes të shqiptarëve. Nafta, kromi, bakri, floriri, platini që flenë me shekuj nën tokë, janë thjesht fosile nëse ato nuk nxirren dhe të shiten në treg. Ne këtë bëjmë dhe këtë ka bërë shteti shqiptar. Iu them këtyre zotërive se sot, energjia e botës është e tëra në duart e kompanive të mëdha multinacionale, e cila ka potencialet më të mëdha për ta nxjerrë atë. Për të njëjtën sasi nafte që nxjerr sot Albpetroli apo kompanie private nesër, do të kemi të njëjtin sistem fiskal. Private apo shtetërore, taksat janë të njëjta. Shkojmë tek ato private sepse ato kanë kapacitete. Një vend këtu afër, para koncesionit merrte 20 milion dollarë dhe pas koncesionit, merr 400 milionë dollarë. Këta zotëri, nuk kanë asnjë tjetër, veçse ligësinë e pafund. Uroj që fazat e tjera do të ecin me transparencë dhe seriozisht për këtë privatizim me rëndësi për qytetarët shqiptarë. Shqipëria presupozohet të jetë një vend i rëndësishëm për prodhimin e naftës dhe gazit në rajon. Ky besim nuk është më empirik, por bazohet në të dhënat nga më të shumta të studimeve”, vijoi.

Gazifikimi i Shqipërisë

Gjithashtu, Berisha i ka informuar deputetët edhe mbi memorandumin e nënshkruar midis Italisë, Shqipërisë dhe Greqisë për gazsjellësin Trans Adriatik, duke theksuar se ai do të sjellë mijëra vende pune në Shqipëri, teksa pas ndërtimin do të bëjë të mundur blerjen e gazit nga qytetarët shqiptar me kosto më të ulët.

Gasjellësi transadriatik, i cili kalon me 120 kilometra në territorin shqiptar, bën një transformim tërësor të zhvillimit ekonomik të vendit. Në këtë projekt, i cili për realizimin në territorin shqiptar, sjell një investim prej 2 miliard eurosh. Shqipëria ka një pozicion shumë të rëndësishëm për transportin e gazit, jo vetëm drejt Italisë, por edhe drejt veriut të Ballkanit. Ky projekt i bën të mundur qeverisë shqiptare për mandatin që vjen të bëjë të mundur gazifikimin e vendit, për shtrirjen e tubacioneve për ngrohje dhe gatim në të gjithë vendin. Shqiptarët do të marrin gaz me çmim më të lirë se sa sot, pra do të ndikojë në jetesën e Shqipërisë.

“Firma e memorandumit nga tre ministrat e jashtëm, është një akt madhor për të ngritur bashkëpunimin midis vendeve tona në një nivel të ri. Qeveria shqiptare është e vendosur të përmbushë çdo detyrim që rrjedh nga ky memorandum dhe që rrjedh nga përzgjedhja vitin e ardhshëm nga konsorciumi Shah Deniz 2, i cili ka parashikuar të nxjerrë gaz me investim 20 miliardë dollarë.  Natyrisht, vendimi përfundimtar do të merret pranverën që vjen, por firmosja e këtij memorandumi përbën mbështetje të fuqishme të konsorciumit për të vendosur në favor të gazsjellësit Trans Adriatik, pasi ky është projekti më i studiuar dhe më i leverdishëm.

Qeveria shqiptare ka bërë gjithçka, ka dhënë kontributin e saj modest para se të gjithash në rrafshin politik për trajektoren e projektit dhe rritjen progresive të mbështetjes në këtë projekt, i cili për rajonin e Evropës Juglindore është më i madhi në historinë e saj. Për të gjitha këto arsye, media më kryesore e botës tre ditë më parë e kanë pasur kryelajmin e tyre. Përfshirja e Shqipërisë është dëshmi e një besimi të plotë të partnerëve tanë. Projekti do të sjellë një ridimensionim të rëndësishëm të marrëdhënieve tona me të gjitha vendet e konsorciumit Shah Deniz 2”, u shpreh kreu i qeverisë. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-10-01 14:07
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›