E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: Imami i përfshirë në shitjen e armëve që nuk i kemi

Braçe tha se ky është dorëzimi më i madh i ndodhur ndonjëherë i ministrisë së mbrojtjes në marrëdhënie me kompani shtetërore serbe.

"Ministria e Mbrojtjes, deri sot, është mbrojtur duke thënë haptazi dhe qarte se po pastron Shqipërinë nga plehrat e komunizmit; duke ju referuar armëve, municioneve, eksploziveve, mjeteve e pajisjeve ushtarake vendase, pra administruar nga vetë Ushtria Shqiptare. Sot dua tu tregoj se marrëdhënia mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe kompanive shtetërore serbe është më e madhe se sa kaq!! Kjo është një dosje e plotë që dokumenton transaksionin më të madh tregtar të mallrave ushtarake, prej ministrisë së Mbrojtjes. Nuk është një dosje e klasifikuar, është një dosje e mbushur me dokumenta, kontrata tregtare, e fshehur dhe e mbrojtur deri tani nën argumenta banale që burokan nga ligji “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, konfirmuar pranë meje me shkrim nga vetë ministri Imami dhe një zyrtar i tij. Në qendër është sërish MEICO, ndërmarrja tregtare e Ministrisë së Mbrojtjes”, tha Braçe, duke bërë publike dosjen e siguruar. 

Deputeti i opozitës shprehet në këtë dosje ka paqartësi mbi transportin dhe shitjen e armëve. “Ky është dokumenti, nuk është “secret” siç e shihni, dhe konfirmon qartësisht këtë fakt. Vetëm emri është i Shqipërisë në këtë transaksion, i ofruar bujarisht, “miqësisht” u tha më parë, në mes të këtij pazari sllav. Bëhet fjalë për mallra të Ushtrisë Jugosllave të administruara nga Ushtria Malazeze e të vëna në dispozicion të kompanisë Montenegro Defence Industry, dega e Jugoimportit serb. 10. 000 Raketa dore anti-tank 64mm rbr m-80 “Zolja”. Ka dy kontrata tregtare: Njëra për 10.000 raketa “Zolja”; Tjetra për 10.000 raketa “Zolja”; 600 granatahedhës dore anti-tank RPG-7; shtimje PG-7 për RPG-7. Njëra me vlerë 1.200.000 Usd; Tjetra me vlerë 1.713.00 USD. Njëra e lidhur me kompaninë Zahen Limited; Tjetra e lidhur me kompaninë Moon Storm Enterprises. Por të dyja të përfaqësuara nga i njëjti njeri. AKSHE deklaron se i gjithë transaksioni nuk është realizuar. Por një tjetër autoritet malazez e deklaron si eksport të kryer në drejtim të Shqipërisë”, shtoi ai.

Braçe u shpreh se ministri Arben Imami, duhet të përgjigjet për të gjitha këto. “Përse Shqipëria përzihet dhe ndyhet në tregtinë e armatimit që nuk e disponon? Përse marrëdhënia e Ministrisë së Mbrojtjes me kompanitë serbe arrin deri këtu, në përfshirjen në transaksione të armatimit të Ushtrisë Serbe? Nuk është përgjigjur asnjë ditë, duhet të përgjigjet sot, politikisht, juridikisht, penalisht në fund. Koha e komunizmit kur çdo gjë, duke përfshirë dhe krimet e tij ishin “sekret” e nuk ndahej me publikun, ka mbaruar, ka vdekur. I kemi kapur mat dhe në flagrancë, në veprime haptazi antikombëtare, antikushtetuese dhe korruptive”, përfundoi ai. /Start/

                                                                                             2012-10-01 14:55
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›