Berisha:Nuk ka asnjë fakt për inkriminimin e Fatmir Mediut

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se që prej një viti nuk ka rezultuar asnjë fakt që të vërtetojë implikimin e ish ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu në shkaqet që çuan në tragjedinë e Gërdecit. Në një intervistë të dhënë për Zërin e Amerikës, shefi i ekzekutivit shqiptar theksoi se "për Gërdecin, ka një vit që botohen me qindra e qindra artikuj, nuk kanë qenë në gjendje të faktojnë as edhe me elementin më të vogël të implikimit për korrupsion të zotit (Fatmir) Mediu. Kam qenë i pari, e kam shtyrë dhe kam bërë çdo përpjekje që Prokuroria ta hetojë në mënyrën më të gjithanshme. I kam thënë zotit Fatmir Mediu, që në qoftë se ka një njeri në botë, që ka nevojë të hetohet, je ti. Dhe ka dhënë dorëheqjen. I kemi hequr imunitetin. Por ata që paraqitën kërkesën për imunitet, në mënyrë tërësisht sikundër s'duhet të ishte, se ky ka anashkaluar ushtrinë, në një kohë kur janë mbi 30 dokumente, ku secili prej tyre ka jo më pak se katër deri në gjashtë firma ushtarakësh, ata fyejnë kombin e tyre, fyejnë parimet me të cilat drejtojnë, sepse në një vend të lirë, në një shoqëri të lirë, mund të bësh politikë me këtë mënyrë, por nuk bën dot kurrë drejtësi". Sipas zotit Berisha, u përzgjodh një linjë, e cila vetëm përgjegjësinë nuk e nxjerr. "Megjithatë, në qoftë se kemi reaguar, kemi reaguar se ajo ishte një fyerje, ishte një papërgjegjshmëri ekstreme, që mund të bëhej. Të gjithë ishim dakord të hetohej. Por, të spostosh të tjerët, do të thotë të devijosh nxjerrjen e përgjegjësive", tha ai.Lidhur me ligjin e dosjeve ndaj të cilit u interesua edhe Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, Berisha tha se "unë e sigurova dhe u ndamë me mirëkuptim të plotë me njëri-tjetrin, që ky ligj nuk përdoret për të bërë gjahun e kundërshtarëve dhe ne e kemi faktuar këtë me amendimet që i bëmë me kërkesën e opozitës. E dyta, gjithçka do të zhvillohet në përputhje me rregullat e shtetit ligjor dhe në këtë pikë kishte mirëkuptim të plotë. Pra, çështjen nuk e shtron kush përse Shqipëria (të ketë një ligj të tillë), sepse çështja është më e thellë". Sipas Berishës, marrëdhëniet mes qeverisë dhe medias janë shumë të mira dhe këtë e tregon fakti që administrata ka ndaluar padinë civile, apo penale ndaj gazetarëve." Qeveria ime solli standard të ri ndaj mediave dhe ky standard ka patur një efekt jashtëzakonisht pozitiv në shoqëri. Në qoftë se përpara administrata kishte qindra procese ndaj gazetarëve, në qoftë se përpara kontrollonte mediat në tërësi, sot, shihe kryetarin e opozitës; është mizor në kontrollin e tre mediave. Njerës i jep hyrjen e Tiranës, tjetrës i thotë se do të jesh në krye të listës së deputetëve, do të bëhesh ministre etj,. Pra i kontrollon në mënyrë barbare. U çon qindra mesazhe në ditë. Pyeti kolegët e tu gazetarë se sa vuajnë nga kjo. Pyeti, a kanë marrë ndonjë nga qeveria apo zyra. Absolutisht as kanë marrë, dhe as do të marrin. Pra ka procese? As edhe një. Çfarë ndodhi? Edhe qytetarët nuk i padisin më. Dhe më bëhet shumë qejfi. Se nuk është rrugëzgjidhje, sado që edhe gazetarët gabojnë kur shpifin, gabojnë kur thonë gjëra të paqëna, por e vërteta është se gjyqet ndaj tyre nuk janë rrugëzgjidhje", theksoi Berisha.Kur kanë mbetur vetëm disa muaj nga zgjedhjet parlamentare të qershorit,Berisha u shpreh se deri më tani ka mbajtur të gjitha premtimet elektorale. " Le të më gjejë kush një qeveri tjetër që në tre vjet të ketë vjelë, në proporcion, 3.2 miliard dollarë nga taksat dhe tatimet, që të ketë shkurtuar nga 3% me 2% të prodhimit të brendshëm shpenzimet e administratës, që të ketë kursyer mbi 500 milion euro në prokurime, në 3 vjet, pra pa llogaritur këtë vit. Janë rreth 4 miliard dollarë më shumë se ç'ishin në 3 vjet më parë. E dyta. Ka një organizatë që vlerëson korrupsionin. Çfarë thotë Transparency International? Qeveria e Sali Berishës ishte kampione në reformat e saj kundër korrupsionit dhe se këto reforma, Shqipërinë, nga 24 vendet më të korrupuara të planetit, e bënë që të lerë mbrapa 95 vende, të verësohet si më e mira në rajon, si ndër 10 vendet më të suksesshme për luftën kundër tij vitin që kaloi. A ka korrupsion? Sërish ka korrupsion. Por ka një betejë në vazhdim kundër korrupsionit. Duke filluar nga janari i këtij viti, Shqipëria bëhet i vetmi vend në planet që ndalon të gjitha format e tjera të prokurimit, përveç prokurimit elektronik. Edhe të tjerë bëjnë prokurime elektronike, por i aplikojnë vetëm pjesërisht, kurse ne plotësisht. Janë penalizuar mbi 160 zyrtarë të të gjitha niveleve, ç'ka do të thotë se edhe ligji po bëhet për ata që preken nga korrupsioni", tha ai.